Nga BUJAR QESJA

Alqi Gjika, nga shokët e afërt tonët, më dha këtë lajm të kobshëm, që të tund vendit. Niko Profkola, emri legjendë i basketbollit, idhulli i padiskutueshëm i tifozërisë durrsakë, është në bekimin e Zotit drejt paqes së përjetshme. Fuqia e emrit të tij është aq e madhe, sa jo vetëm sot, por edhe mot e mot, do ta mundë mungesën fizike, për të mbetur tërë kohën i gjallë, i freskët, “i bukuri i dheut”, brenda shpirtit dhe kujtesës tonë.

Lajmi i tmerrshëm erdhi aq shpejt, sa po e kam shumë të vështirë të ruaj qetësinë dhe t’i dërgoj fjalët dhe të adresoj mendimin aty ku duhet dhe si duhet. Quhet Niko Profkola ky dhe nuk është dosido. Është Niko i dashamirësve të sportit, ai që na jepte forcë dhe shpresë në të dielat e famshme të topkoshit.

Eh Profkolë, Profkolë! Nuk do të mund ta besoj, sigurisht jo vetëm sot, por edhe mot e mot, që nuk do të takoj më rrugëve të Durrësit, që me Irmën e mrekullueshme në krah të shoqëronte, për të të gëzuar sadopak në një finale të jetës, që dihej mirë do të ishte kështu e dhimbshme, prekëse. Do të më mungosh, jo vetëm mua, por durrsakëve të ty që aq shumë të deshën, por edhe miqve dhe shokëve të shumtë an e kënd vendit dhe jo vetëm dhe gjith-herën do të ngushëllohemi me pamjen tënde të gjallë, shprehëse, të qeshur.

Profkola i Madh! Profkola i thjeshtë! Profkola, që e lodhi topin deri në mundim! Profkola me trup të hijshëm e fytyrë simpatike, ishte baraz me të “bukurin e dheut”. Profkola rrënjë e ngacmimit dhe shpërthimit të tifozërisë deri në delirin e kënaqësisë, ku topi në duart e tij dukej si një diell i vogël, që ngrohte e ngrohte dhe i jepte zjarr shikuesit.

Për këtë Profkolë, të lindur në Durrrës me 1 qershor 1948. Për këtë Profkolë, që sfidoi shqetësime delikate jetësore, si diabetin rrebel dhe ngacmime të frikshme në stomak derisa erdhi në këtë ditë fatale, të atij njeriu që Durrësi e ka në inventarin historik të përjetësisë, ofrojmë këtë inmemoriam në përmasa të një dërrmimi shpirtëror.

Niko Profkola, u bë shpejt i njohur në të gjithë Durrësit. Fama e “harlemave” të “Lokomotivës”, mori dhenë në të gjithë vëndin. Dhe në ballë të plejadës më të shkëlqyer të basketbollit durrsak, rrinte “Mjeshtëri i Madh” dhe “Qytetar Nderi i Durrësit”, i papërsëritshmi, mitiku dhe nostalgjiku Nikolla Profkola.

Profkola trajner me të rinjtë, njohu edhe tri tituj kampionë. Drejtoi edhe ekipin e të rriturve, duke patur në krah profesorin e tij, Bashkim Tagën. Nxënësi i dikurshëm tani koleg me profesorin e tij. Profkola gjithashtu kujton edhe Dhimitraq Gogën.

Goga dhe Taga, periudha e demostrimit të fuqisë së basketbollit.

Historia moderne e basketbollit durrsak, e atij basketbolli që bëri hop cilësor, është lidhur kryekëput me emrin e Niko Profkolës. Mjeshtri i madh i topit, nderi i të gjithë durrsakëve, deomos do të çonin këtu tek titujt e mëdhenj “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Nderi i Sportit Kombëtar” dhe më pas dy nderet e ndereve të mëdha: “Mjeshtër i Madh” dhe “Qytetar Nderi i Durrësit”.

Dhe vjen një ditë… Po, po! Dhe vjen një ditë…! Që ky Niko Profkola të hypë në panteonin e basketbollit durrsak dhe si një kurorë lavdie të qendroj në arritjet historike të basketbollit shqiptar. Çdo lloj politike, e kujtdo krahu qoftë si dje, sot dhe në të ardhmen nuk do të mundet ti lëvizë qoftë edhe një fije floku, lavdisë së krijuar nga forca e pabesueshme e talentit të tij.

Nikolla Profkola është mishërimi i qytetarisë durrsake jo vetëm në sport, por edhe në urtësi, në karakter, në moralin njerëzor, në fisnikëri dhe humanizëm.

Niko Profkola, portreti i të cilit për çdo vit i shtohet nga një yll i artë që e bën të mos harrohet, të mbetet emblemë, të mbetet pasuri e atij qyteti, që i dha sporteve dhe kulturës aq sa historia i është rezervuar tashmë. Pas 90-ta, i ofroi ato që i ishin mohuar, kundrejt vlerave dhe afësive të pakundërshtueshme. Varg titujsh dhe meritash i vrapuan pas.

Pas një historie suksesi në Tiranë, Profkola kthehet në vendlindje. Emërohet në shkollën “Naim Frashëri”. Më pas tek “Leonik Tomeu” dhe fiksohet në “7 Nëntori” me klasat sportive. Me Profkolën ka ndodhur një ngjarje e pazakontë.

“Populli nuk ka ngritur kërkënd në krah veç Profkolës”

Marsi i vitit 1972. Durrësi luante me Tiranën. Ishte në sfera të larta të tabelës. Pallati i sportit “Punëtori” i tejmbushur. Niko Profkola atë ditë, ka zhvilluar ndeshje të paharrueshme dhe të pabesueshme për nga shkalla e lartë e nivelit, preçizionit, teknikës së triblimit dhe përdorimit të topit. Ishin aftësitë improvizuese të Profkolës, që “Lokomotiva” gëzoi një popull të tërë dhe doli fituese nga loja, duke u shoqëruar me thirrje dhe ovacione çdo kosh i tij.

Ndeshja nga brenda, vazhdoi të luhej edhe jashtë. Mijërat e tifozërisë dhe qytetarëve durrsakë, po e pritnin idhullin e tyre tek dera e daljes së sportistëve. Sapo kanë parë Profkolën, e kanë ngritur peshë, duke e mbajtur në shpatullat dhe kokat e tyre. Thirrje entuziaste dhe ekzaltuese: Niko! Niko!

Dikush dha “urdhër”, ta dërgonin deri në shtëpi. E meritonte ky njeri. Dhe turma gjigande e njerëzve, e dërgoi Profkolën nga pallati i portit deri në shtëpi mbi trupat e tyre. Edhe kur na tregonte Profkola këtë ngjarje, qante si fëmijë.

-I detyrohem qytetarisë durrsake! Më ka respektuar shumë, shumë! I faleminderit të gjithëve!

Volejbollistja mitike shqiptare Ela Tase, i ka thënë Profkolës me humor:

“Edhe ne Niko kemi dalë kampion. Madje kemi fituar edhe me ekipe të huaja shumë të forta. Por nuk na kanë mbajtur peshë, sikur ka ndodhur me ty.

Aq pikant ka qenë talenti i Niko Profkolës, sa edhe kur u largua nga basketbolli, i ndjehej detyrimi për ti kërkuar ndihmë. Salvator Sotiri dhe Fatos Muço, iu lutën Nikos të vinte në ekip për të shpëtuar “Lokomotivën” nga kalimi në kategorinë e dytë. Dhe Niko kujton:

-Luante “Vllaznia”, e cila ishte për titull kampion. “Lokomotiva” largohej nga kategoria. U zhvillua një ndeshje dramatike. Pallati po merrte “flakë” nga entuziazmi, kur më panë në lojë. Kam vënë re njerëz që qanin si fëmijë. Thërritnin me sa fuqi që kishin: Niko, Niko!

Fituam për një pikë. M’u duk vetja përsëri i ri. Më erdhi mirë, që e ndihmova ekipin me të cilin më lidhin ngjarje dhe histori të bukura, njërëzore, të veçanta.

Kemi humbur Niko Profkolën! Shumë e madhe, më duhet ta ritheksoj, shumë e madhe kjo humbje. Por historia e basketbollit dhe e sporteve në Durrës nuk shbëhet. Ajo është e lidhur si aliazh i çeliktë, me emrin e idhullit tonë, të qytetarisë dhe sportëdashësve durrsakë, me emrin e paqcënuar Niko Profkola.

Pranë jush Irma, Ami dhe Kristaq! Pranë jush në këtë ditë dhimbje, është mbarë qytetaria durrsake, mbarë opinioni sportiv kombëtar.

Dheu i lehtë miku dhe vëllai im Niko Profkola!