Nga BUJAR QESJA

Duhej të punoja që mbrëmë (me 8 maj 2022), për një inmemoriam kushtuar një shoku të hershëm. Por ishte dita e lindjes së një tjetër shoku, nga më të thekurit. Ishte 70 vjetori i lindjes së Hajg Zaharianit. I dhashë favor gëzimit dhe ecurisë së jetës. Dhe tani jam ulur, duke u përfshirë në dhimbjen që më ka pllakosur. Me 8 maj 2022 Pirro Mingulit, i është dhënë lamtumira e fundit. Janë lajme që të godasin si çekan dhe aq më shumë kur nuk e di se do ndodhin.

Duam gëzime! Duam hare! Duam kënaqësi dhe optimizëm! Por nuk pohoj ndonjë të re, kur bie në gjykimin e zakonshëm, që edhe dhimbja jeton me ne dhe na dëmton rëndë. Kemi pak më shumë se dy vite, që përcjellim për në banesën e fundit miq dhe shokë. Dhe janë bërë shumë. Lotët na janë tharë dhe dhimbjet na e kanë çarë kraharorin. Plagët nuk mbyllen dhe koret e tyre mbeten gjithnjë të njoma.

E kam ndjerë humbjen tënde Pirro! Mbetesh nga miqtë dhe shokët më të urtë që kam hasur. Dhe dhëmbjen e kaloje me të qetë. Dhe të keqen gjithashtu e ka kaluar me të urtë. Ishte një urtësi dhe mbetej një qetësi e zhurmshme, pavarësisht se nuk e çfaqte natyra jote paqësore.

Linde në Gjirokastër në vitin 1951, nga dera e fisme e Mingulëve. Babai yt Aristidhi profesionist i zoti i lapsit, u shpëngul në Kavajë ku kreve arsimin parauniversitar. Ndoshta fqinji yt Nazmi Roli, apo klima e jashtëzakonshme krijuese në qytetin e poezisë Kavajën me personazhe aktive si vëllezërit Tafa, ku me njërin prej tyre Nexhati-un ishim studentë në gazetari, Josif Dojën e të tjerë, të dhanë muzën dhe fuqinë krijuese. Por jam i sigurtë, se ishte talenti yt së pari që vendosi mbi gjithçka.

Duke qenë bashkëmoshatarë, orjentohem saktë mbi rrugëtimin tënd krijues. Në gazetën e Durrësit “Adriatiku” ku punova një vit, diku nga viti 1973 hasa palcën e krijuesve të fuqishëm durrsakë, që të gjithë më pas miqtë e mi shumë të ngushtë. Ishte koha e një lulëzimi të paparë, të talenteve të reja të poezisë dhe prozës. Dhe ky gjirokastrit, i mbrujtur me ajrin krijues kavajas, përpiqej për të profilizuar individualitetin dhe me meritë të qendronte në këtë kurorë të artësh. Janë emra të mëdhenj të gdhëndies së fjalës dhe latimit të mendimit si Moikom Zeqo, Bardhyl Agasi, Petraq Risto, Hasan Ulqini, Thanas Mustaqi, Namik Mane, Bashkim Hoxha, Ilia Dedi, Demir Gjergji, Mark Brunga, Maliq Istrefi etj. Dhe Pirro Minguli, tentoi të ishte në këto meridiane dhe paralele të gjithësisë artistike.

“Ditët me dhëmbët e orëve,
Gërryejnë monotonisht trupin e jetës.
Ditët palosen mbi njëra – tjetrën,
Si korale, duke formuar ishujt e viteve”.

Frymëzimi i poetit, nis të rrëshqasë si një ujvare dhe të përplaset me fuqinë e fjalës, në botën shirtërore të lexuesit. Pirro mbaroi studimet e larta për gjuhë letërsi. Punoi si mësues. Provoi të ishte punonjës aktiv në kulturën rrogozhinase. Dhe si nje refren kënge, nuk humbiste dhe mbeti gjithnjë armë e fortë e tij qetësia, maturia, urtësia, ëmbëlsia dhe xhentilesa e komunikimit i këtij njeriu, që na la mbresa të pacënuara.

Dhe në një nga poezita më të realizuara “Muzgu”, poeti Pirro Minguli do të godiste mendimin në shtyllën e palvizshme të krijimtarisë:

“Dhe brenda muzgut,
janë të gjitha ç’ka ndodhën sot.
Buzëqeshja e atij që kaloi një ditë të bukur,
klithmat rrëqethëse të atyre,
që vrasja u trokiti në derë.
Hutimi i atyre që bredhin kot,
ripërtëritja e shpresës për këdo
deri në agimin që vjen”.

Pirro nuk e demostronte fuqinë e talentit për t’u dukur, apo për të treguar sa i zoti ishte. Qetësia dhe urtësia përbënin atë heshtje, që dëgjohej më shumë se tonalitetit i tingullit. Kjo ishte edhe arma kryesore. Për këtë edhe do të mbahet mënd. Shoqërinë e donte dhe e respektonte. Pirro nuk e demostronte fuqinë e talentit për mburrje, apo për të treguar sa i zoti ishte. Qetësia dhe urtësia përbënin atë heshtje, që dëgjohej më shumë se tonalitetit i tingullit. Kjo ishte edhe arma kryesore e tij. Për këtë edhe do të mbahet mënd. Shoqërinë e donte dhe e respektonte. Kur e takoja, përshëndetja e tij më përkëdhelte dhe ngjasonte me flladin e magjishëm që vjen nga “Adriatiku”.

Pirro bënte mirë dhe saktë atë që dinte dhe nuk shtirej. Na la dy libra, ku talenti i tij u historianizua. Vëllimi me skica dhe tregime “Në qytetin me erë të fortë” dhe krijimi me poezi “Nëpër ikjen e ditëve”. Me johonë u prit edhe drama “Kthimi”, e vënë në skenë nga teatri “A. Moisiu”. Dhe përpos këtyre, Pirro Minguli është autor i mbi 120 artikujve, ku manifestohet shpirti i tij krijues dhe i publikuar në gazetat dhe revistat e kohës si “Nëntori”, “Drita”, “Zëri i Rinisë”, “Adriatiku”. Tregime, skica, poezi, radiodramatizime e gjini të tjera krijuese lëvroi ne jetën 71 vjeçare, shoku ynë i paharruar Pirro Minguli.

Shpejt u ndave nga ne Pirro. Ishe aq i gjallë, megjithë heshtjen tënde dhe kishe një buzëqeshje që tani mund ta krahasoj me pranverën e përjetësisë. Maji i luleve dhe bukurisë pranverore, maji i ngrohtë dhe joshës, na dha një datë 8 që na ngarkon me dhimbje. Një datë që do të na kujtoj gjithnjë ikjen e një shoku, por ardhjen gjithnjë në kujtesë.

Dhe dua ta mbyll me disa vargje të tjera të tuat, që do të mbeten si një kujtesë e pazbehur. Nuk mund të rrija pa të dhënë lamtumirën e fundit, por në këtë formë nuk duket se është e tillë, duke u mbështetur fort në këto vargje:

“Dhe unë që dua të jem në petalet e jetës,
me blerimin e përhershëm të ndjenjave,
mes oshtimës së zërave njerëzorë;
ku gurgullon, rrjedha e hijshme e mrekullisë së dritës,
ku ruhen në përjetësi
kufijtë e jetës“.

Pirro Minguli u largua nga ne, për t’u ofruar në kujtesë. Ky është edhe mesazhi që përcjell në këtë inmemoriam. Ekrani i memories për ty, do të mbetet gjithnjë i hapur. Lamtumira për ty, është dhimbja që ndjejmë. Ti ike, për të na lënë të gjallë buzëqeshjen dhe krijimtarinë tënde.
Pirro Minguli! Krenar për miqësinë dhe shoqërinë që patëm.

Durrës: 9 maj 2022 .