-Mbylli sytë e mira Irini (Ira) Mitre
-U rrit dhe u mëkua nga dera e famshme e Tapijave
NGA BUJAR QESJA
Dje i është dhënë lamtumira e fundit, një durrsakeje, një zonje të nderuar, një gruaje me personalitet, një nëneje, një gjysheje. Ajo quhet Irini Mitre dhe është thërritur gjithnjë me shkurtimin e emrit: Ira. Nuk ka rëndësi nëse kam patur rast ta njoh, apo të ndaja dy fjalë me të. Di dy gjëra të rëndësishme në jetën e saj. Ushtroi profesionin e mësueses, në mënyrën më të mirë të mundshme.
Veç kësaj dhe kjo është arsyeja që u ula të shkruaj dy fjalë për këtë zonjë plot sharm e mirësi, është nga dera e famshme e Tapijave të Durrësit. Është mbesa e Jovan Tapisë, me gjyshe Vali Tapinë. Daja e saj është i mirnjohuri, durrsaku i thekur dhe që “vdiste” për Durrësin Petraq Tapija.
Miqësi shumë njerëzore dhe në përmasa të një shembulli gjithnjë të ndezur, pati edhe me arsimtaren dhe intelektualen e njohur Gazmenda Borodani Tapija, bashkshorten e Petraqit tonë të përmallshëm. Ja këto janë dy arsyjet më justifikuese, që u nxita ta përcjellë me këtë shkrim për në banesën e fundit këtë fisnike, e cila sa ishte me jetë i bëri nder Durrësit dhe durrsakëve.
La një një vajzë Julin. La një dhëndër, mikun tonë, shkrimtarin e njohur durrsak Enton Bido. La dha një nip. La dhe një mbesë. Por la një shoqëri të pastër, emra të njohur arsimtarësh, që nuk u lodhën së mësuari një Durrës të tërë.
Kur shkruajta për familjen Tapija, Ira Mitre ishte në qiellin e shtatë. Falenderimet nuk kishin fund. U gëzua shumë për gjyshi Jovanin, për gjyshe Valin, për dajën aq të dashur Petraqin, për Gazmendën e bukur, bukuroshen nga Elbsani, që la emër historik në arsimin e qytetit tonë të lindjes.
Ira ka dhënë mësim në disa shkolla. Dhe në të gjitha ishte e njëjta. E mira, fisnikja, zonja e nderuar, që e përfaqësoi me shumë personalitet edhe derën e Tapijave. E kam takuar disa herë, kur vinte në Klubin Shumësportesh “Teuta”.
Kishte miqësi të veçantë, me një tjetër emër të njohur të sporteve, mjeshtren e sportit dhe drejtuesen e klubit. Është Nexhmije Kotrri. I lexohej në fytyrë urtësia, sjellja e veçantë, falë një kulture dhe edukate të trashëguar familjare. Buzëqeshja e saj, ngjasonte me një qiell të kaltër, të pastër nga retë dhe ndriçuar bukur dhe qartë nga dielli shpresdhënës.
Ira Mitre, Irini Mitre kishte kohë që vuante nga një sëmundje e pashërueshme. Kur komunikoja me Gazmendën nga Amerika, ma thonte këtë gjë, duke mbajtur një merak shumë të madh. Ishte kjo një nga arsyjet, që e ndiqja me vëmëndje ecurinë e saj. Gëzohesha kur bënte komente në disa shkrime të mijat në elektronikë. Flitja me vete dhe pëshpëritja, pse jo edhe lutesha:
-Eh shyqyr! Ira qenka mirë. Inshalla sa më gjatë kështu!
Por ja, që do të vinte e mërkura e 5 shkurtit 2025, kohë kur do të mësoja që Ira jonë e mrekullueshme, zonja e nderuar dhe e bekuar e Durrësit tonë do të mbyllte sytë përgjithmonë. U ligështova, pasi ia mbaja sikletin tërë këtë kohë, por sigurisht pa i rënë në sy.
Nuk më mbetet gjë tjetër, veçse ti bashkohem miqve, të afërmëve , familjarëve të Ira Mitres, për të marrë pjesë në këtë dhimbje të madhe. Mosha 71 vjeçare është nga më të lakmuarat në këtë fazë të jetës tonë. Mund ti gëzohesh gjithçkaje, duke parë me shumë kënaqësi rrugën e gjatë përshkuar deri këtu. Por ja që siç thotë populli “këto janë punët e Zotit” dhe del jashtë dëshirave tona.
Jetë të gjatë në kujesën tonë e mrekullueshmja grua, e mrekullueshmja zonjë, e mrekullueshmja mësuese dhe krenari e arsimit, e mrekullueshmja nënë, e jashtëzakonshmja gjyshe, e preferuara mikeshë IRA MITRE!
Bujar Qesja
Durrës: 5 shkurt 2025