“Vjedhja” e një jahti 22 metra të gjatë, në mes të ditës, në portin e Durrësit pati një jehonë të madhe mediatike gjatë pasdites së të hënës.
Por ndryshe nga versioni që dha në polici shtetasi D. Alikaj, që pretendon pronësinë e mjetit lundrues “Tamomar 2”, një variant tjetër të ngjarjes paraqet avokati A.F. i cili mbron interesat e palës shitëse të jahtit në fjalë.
Sipas avokatit, shitblerja e mjetit lundrues është ende objekt i shqyrtimit civil, pasi pala blerëse nuk ka likujduar detyrimet financiare për blerjen e 2 jahteve, një prej të cilëve është “Tamomar 2” si dhe detyrimet kundrejt privatit që menaxhon kalatën Cristian Marine.
Deri një vit më parë, jahtet ishin në pronësi të shtetases italiane L.M., ndërsa shtetasi D.Alikaj u ofrua t’i blinte.
Avokati thotë për “DurrësLajm”, se blerësi nuk ka respektuar afatet kontraktuale të lidhura mes palëve dhe as nuk ka likujduar pagesat, siç ishte rënë dakort fillimisht. Sipas avokatit, vlera totale e të dy jahteve është 100 mijë euro.

Lidhur me situatën e krijuar një ditë më parë, avokati A.F. thotë se jahti “Tamomar 2” rrezikonte mbytjen në kalatë dhe për këtë arsye ai është nxjerrë në akuariumin e portit, për t’u pozicionuar ndryshe nga ana e personelit që administron kalatën.

Aktualisht jahti është nxjerrë në tokë, siç duket edhe në fotot që po publikojmë, sepse në rast mbytjeje mund të shkaktonte një ndotje të madhe mjedisore në kalatë, ndërsa operacioni për nxjerrjen e tij do të ishte mjaft i kushtueshëm.
Sipas avokatit, një ditë më parë janë dhënë të gjitha sqarimet përkatëse në polici dhe nuk bëhet fjalë për vjedhje jahti në mes të ditës, në portin më të madh në vend.
M.B.