Blutë e Tiranës kanë arrestuar një 38-vjeçar, i dyshuar për kryerjen e veprave penale ‘’Trafikimi i mjeteve motorike’’ dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale’’, ndërkohë që shpalli në kërkim për të njëjtat vepra penale, shtetasin B.M., 43 vjeç, banues në Gjermani (bashkëpunëtor).
Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e posaçëm “Shqiponja” ka finalizuar me sukses operacionin “LUXURY CARS”, duke parandaluar dhe goditur një rast të trafikimit të mjeteve motorike, me qëllim shitjen e tyre në Shqipëri.
Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit M.D., 38 vjeç, lindur në Elbasan dhe banues në Stuttgart, Gjermani. Policia shpalli në kërkim shtetasin B.M., 43 vjeç, banues në Gjermani (bashkëpuntor).
Të dy shtetasit dyshohet se kanë bashkëpunuar për kryerjen e vjedhjes së një automjeti luksoz në Gjermani me qëllim shitjen e tij në Shqipëri.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti tip “Lamborghini Huracán”, i cili ka një vlerë monetare rreth 250.000 euro. Ky mjet është deklaruar i vjedhur nga shteti gjerman më datë 30.07.2019.