Kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili prej 16 ditësh ndodhet në burg ka reaguar sërish nga qelia, duke u shprehur se i kanë ndaluar çdo takim dhe komunikim.

“Kam vetëm këto pusulla ditore me avokatët, deri ditën kur do mund t’ju përqafoj të gjithëve ju, e të merrem me zë e me figurë me këta burra të paburra”, shkruan kryebashkiaku Veliaj.

Kreu i Bashkisë Tiranë shprehet se i kanë dërguar, sipas tij, porosi që të ulë gjuhën. Por, Erion Veliaj kërkon nga të gjithë ata që “’bezdisen’ nga gjuha ime të kuptoni që jam në burg, me një letër anonime”.

Ai shprehet se është i vetmi politikan që sipas tij ka kaluar në atë që e quajti një labirinth ilegal të një vettingu 20 vjeçar.

Por, thekson se “kam dalë nga labirinthi pa asnjë shkelje për të përligjur burgun pa gjyq, duke më ndërprerë me dorën e një maniaku dhe thikën e një kasapi kontratën me zgjedhësit”.

“20 vjet VETING – asnjë biletë, asnjë hotel, asnjë apartament, madje asnjë drekë e darkë, që dikush të ketë paguar për mua në detyrë”, shkruan Veliaj.