Nga BUJAR QESJA

Kam shkruajtur në një rast, për ansamblin artistik “Teuta” të Durrësit. Krahas përpjekjeve të mëdha, që bën talenti i njohur i koreografisë Arian Plaku, për të mbrojtur kërcimet e njohura të Shqipërisë së Mesme dhe më gjërë, ky i Miltiadh Drizës është për t’u veçuar. Zanati i Miltos është elektronika, por shpirti dhe ndjesia e tij morale mbetet arti. Është ky art që e ka rrëmbyer tërë jetën Milto Drizën. Edhe kur ishte në Fllotën Tregëtare Detare, edhe kur zbriti në tokë, e hodhi spirancat e punës në pallatin “Rinia”, Milto Driza artit i kishte rezervuar një “xhep” të veçantë, që lidhej me shpirtin pasionant. Mbaj mënd që fonia e Milto Drizës, ishte me nam në të gjithë Shqipërinë. Me mjete primitive dhe të adoptuara, nëpërmjet mikrofonëve dhe altoparlantëve të skenës, ai nxirrte së pari zërin e përkushtimit ndaj artit dhe kulturës dhe më pas çfaqeshin interpretuesit.

Dhe në këtë kohë, si edhe në atë të mëparshmen, Milto Driza nuk mund të qendronte indiferent dhe të vegjëtonte. I datëlindjes 1944, i bie të jetë 78 vjeçar dhe mos t’ju duket çudi për të shpjeguar, se mbetet i njëjti jo vetëm nga performanca fizike, por edhe ajo e vullnetit dhe zellit të pakonkurueshëm për punën. Që kur ishte me frymë Tan Hoxha dhe i përkrahur nga Agron Llakaj, ky Milto Driza është pjesë e teknikës së varjetesë së njohur të humorit të “Portokallisë” së Top Chanal-it. Shkon për ditë nga Durrësi në Tiranë dhe në mesnatën e ditës së mëpasme vjen në shtëpi, i lodhur natyrisht por shumë i kënaqur me atë që kryen.

Dhe përsëri nuk ndjehej i qetë. Jemi në kohën kur nismat private janë baza e zhvillimeve. Mendoi se ku mund të ishte i vlefshëm. I frymëzuar nga muzika dhe kryesisht ajo popullore e kultivuar, nisur gjithashtu edhe nga vakumi që është krijuar në Durrës me mbylljen e ansamblit popullor “Durrësi”, mendoi të nxisë organizimin e një trupe private. Kjo do të synonte, jo vetëm në zbutjen e etjes që kanë njerëzit për këngën dhe vallen popullore, por edhe në angazhimin e mjaft këngëtarëve dhe instrumentistëve që kanë mbetur pa “punë”. E ndau mendimin me një njeri të shkathët dhe shumë të dhënë pas artit. Dhe ky është Gëzim Tola. Morën mbështetjen edhe të koreografit të njohur shijakas Agim Domi. Nuk hezituan dhe u hodhën në aksion.

Seleksionuan këngëtarët. Gjetën edhe instrumentistët. Pastaj kaluan në zgjedhjen e repertorit. Punë shumë. Lodhje po e tillë. Prova itensive. Por dëshira për të dalë me një çfaqje premierë, ishte e jashtëzakonshme. I vendosën ansamblit artistik emërin “Teuta”, për të kuptuar që bëhet fjalë për Durrësin. Këngëtari 70-të vjeçar Ylli Çifti, vazhdon të mbetet shtyllë. Shumë ka kënduar ky Yll, duke u kthyer në yllin e këngëtarëve popullorë durrsakë. Greta Shahu, është një zë i njohur në muzikën popullore. U pikasën edhe dy motrat Puçi- Jola dhe Ilva, që kanë vite të larguara nga Përmeti për të jetuar në Durrës. Zëra origjinalë që tundin skenat. Por edhe Jona Kapllanaj nuk mbetet pas.

Pastaj orkestrina është shumë e gjallë. Met Sedia është në organo. I biri i tij Mario, të befason në violinë. Udhëheqsi artistik Alfred Mata punon shumë për repertorin, që të jetë sa më i preferuar. Tingulli që del nga klarineta e Agim Peqinit, të josh m’u si dallgët e detit. Dyshja në llahutë Ilir Bega dhe në dajre –def Agron Veseli, mbetet binomi që i jep fizionominë e plotë kësaj orkestrine me emër. Adelina Gjojdeshi mbetet prezantuesja simpatike, që ia shton hijeshinë kostumit tërheqës artistik të ansamblit “Teuta”.

Punë orë pas orë, ditë pas dite, javë pas jave, muaj pas muaji, vit pas viti dhe arrijmë në katër vjetorin e krijimit. Natyrisht që u festua. Natyrisht ai që do t’i mbështeste do të ishte Fatos Cerenishtit. Gëzim i madh për arritjet, por të bindur se mbetet shumë për të bërë. Kur arrin atë që kërkon dhe e bën mirë këtë, për ta mbajtur suksesin duhet akoma edhe më shumë përpjekje. Dhe ky grup e ka bërë dhe do ta bëj edhe më tej.

Janë dhënë shumë çfaqje, aq sa nuk numurohen. Kur mendon se kjo trupë është ngritur me bazë vullnetare dhe absolutisht asnjë qindarkë fitimi, nxitesh të japësh ndihmesën tënde me çfarë të mundesh. Në këtë rast kam lapsin dhe mendimin. Ngacmoj me sa mund opinionin që sigurisht që vlejnë. Por nëse të tjera palë, që i lidh edhe ata dashuria për artin dhe dëshira që këtë t’ia japin Durrësit dhe durrsakëve, do të vlente akoma më shumë.

Atë që kanë në dorë, 15 anëtarët e trupës po e bëjnë. Kanë shkuar në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi, por kanë marrë pjesë edhe në “Sofrën Tropojane”, ku kanë ardhur në të gjitha rastet me çmime dhe trofe. Kanë shkuar edhe në Përmet. Po marrin pjesë në të gjitha eventet kombëtare. Ftesa të shumta po vijnë. Njerëzit kërkojnë artin dhe për artin po punon dhe këmbëngul edhe ky ansambël artistik, i frymëzuar nga shembulli gjithnjë i pa zbehur i Milto Drizës.

-Sapo ka mbërritur, të tregon Milto një ftesë nga Belgjika. Janë planifikuar një sërë çfaqjesh për shqiptarët tanë atje, por edhe për vendasit. Po shikohet mundësia të japim çfaqje edhe në shtete të tjera fqinj me Belgjikën. Dhe kjo na detyron shumë. Të më besosh, nuk i ndjej këmbët kur iki vonë në shtëpi. Tërë ditën në lëvizje dhe me planifikime punësh. Më mban gjallë jo vetëm pasioni, por i tërë trupës të cilët prania pranë artëdashësve i mban të freskët dhe i frymëzon.

E festuan katër vjetorin e krijimit. Por ndërkohë shtruan edhe detyrime. Në këtë kohë, kur arti ka nevojë për protogonistët e tij dhe artëdashësit kërkojnë sa më shumë jetë artistike, shembulli i Milto Drizës dhe i ansamblit artisitik “Teuta” Durrës, bëhet epiqendër. Ndihma ndaj tyre kurrsesi nuk duhet të trajtohet si lëmoshë, por si detyrim. Është ai detyrim shoqëror që ka secili ndaj artit, ndaj punës dhe djersës të atyre që e kanë hallall për atë që bëjnë, për atë që meritojnë.

Milto Driza dhe Ansambli artistik “Teuta”. Një turbinë gjeneruese, që nuk do të ndalet.

Durrës: 12 maj 2022