Në gjykatën e Durrësit ka nisur seanca për caktimin e masës së sigurisë për 4 marinarët libianë që u vunë në prangat e policisë së Durrësit nën akuzën e kontrabandës së naftës. Seanca po zhvillohet pa praninë e medias, me kërkesë të prokurorit të çështjes për ruajtje të sekretit hetimor.

Nën hetim janë dhe 6 pjesëtarët e tjerë të ekuipazhit të anijes çisternë “Queen Majeda”. Ata akuzohen se kanë transportuar naftë nga Bengazi, port në Libi, drejt Durrësit për ta tregtuar atë kontrabandë për qëllime fitimi.

Në kuadër të operacionit të koduar “Ring” u arrestuan kapiteni i anijes Zuhair Alkwafi 54 vjeç, Muavid Ali Altabir 25 vjeç, Amad Abushala 43 vjeç, të tre nga Libia, dhe Badr Teezini, 25 vjeç nga Siria.

Pas ndalimit, kapiteni i anijes deklaroi se ngarkesën e kishin të porositur, po më pas nuk është marrë në dorëzim nga porositësi.

Policia deklaroi se ka sekuestruar 2275 tonë naftë kontrabandë. Anija e ndërtuar në vitin 1994 dhe që lundron me flamur të Kamerunit u ndalua pasditen e 12 shtatorit për verifikim.