Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale kryetarja e bashkisë së Durrësit ka bërë të ditur se të martën, më 24 qershor, 132 familje të Durrësit do të marrin çelësat e apartamenteve të reja, të ndërtuara në kuadër të programit të rindërtimit pas tërmetit.
Ceremonia e shpërndarjes do të zhvillohet në ambientet e Bashkisë Durrës, në sallën e Këshillit Bashkiak, sipas këtij orari të përcaktuar për secilën shkallë të pallatit:
• Shkalla A – ora 09:00 – 10:00
• Shkalla B – ora 10:00 – 11:00
• Shkalla C – ora 11:00 – 12:00
• Shkalla D – ora 12:00 – 13:00
Familjet që do të tërheqin çelësat duhet të paraqesin një dokument identifikimi ose një prokurë përfaqësimi. Ndërsa për ata që nuk mund të jenë të pranishëm më 24 qershor, çelësat mund të tërhiqen edhe në ditët në vijim pranë Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Bashkinë Durrës.
Bëhet fjalë për apartamente të ndodhura në banesën kolektive “Kastrati”, në “Rrugën Ramadan Veliu”, të cilat janë shpërndarë përmes një shorteu publik të zhvilluar më herët nga bashkia.