Ndonëse ekonomiste për shumë vite në profesion, pasioni i madh i Nexhmije Muços që në vajzëri ka qenë përgatitja e glikove, ëmbëlsirës tradicionale shqiptare. Pasion nga i cili nuk ka hequr dorë prej më shumë se 35 vitesh, pavarësisht sesa e ngarkuar ka qenë dita e saj mes angazhimeve në punë dhe familje.

Në një intervistë për “DurrësLajm”, Nexhmija tregon se gjithçka nisi nga tradita për të pritur mikun me një qerasje të veçantë, ndërsa më pas filloi të zgjerohej në rrethin shoqëror dhe duke parë që produktet e saja pëlqeheshin nga të tjerët, e ktheu dëshirën në një metodë fitimprurëse.

Me frutat që gjendet në bahçen e shtëpisë së saj, ajo bën lloje të ndryshme glikosh si; shalqiri, qershie, kumbulle, portokalli, manaferre, arre etj., dhe kjo e fundit sipas amvisës Muço kryeson listën e të preferuarave, të cilat më pas i tregton në biznesin familjar, “Gjergji Farm” që ndodhet në zonën e Manzës.

“Tani unë jam pensioniste dhe pavarësisht profesionit tim, ekonomiste, këtë e kam patur gjithmonë pasion. Nuk e kam lënë asnjëherë. Dmth e kam gjetur kohën ndoshta edhe në orët e vona të natës për ta bërë patjetër atë produkt që vinte nga stina, që të mos shkonte dëm.”, shprehet Nexhmija.

Glikoja mund të rezistojë deri në tre vite në kavanoz dhe që kjo të ndodhë sekreti është në procesin e përgatitjes për të cilin Nexhmija thotë se zgjat tre ditë. Sipas saj, nuk ka një recetë fikse për të gjitha llojet e frutave pasi çdo frut ka specifikën e tij.

“Ka procedurën e vet, sa më gjatë që jeton aq më e mirë bëhet.”, vijon më tej. Përveç glikove të shijshme, Nexhmija kujdeset në detaje edhe për ambalazhimin e produkteve të saj. Kavanozët kanë pamje tjetër pas kombinimeve me punimet artizanale me grep nga duart e amvisës tonë.

“Edhe paketimin unë e kam pasion të brendshëm. Kështu siç e shikoni është gjithçka nga duart e mia.”

Por Nexhmija tashmë nuk është e vetmja në familjen e saj që ka këtë pasion, pasi edhe e bija ka ecur në hapat e të ëmës, ndonëse ajo e ka çuar më tej duke ndjekur studimet jashtë kufijve dhe diplomuar për gastronomi.

“Nuk mendoja se e kishte dhe ajo dëshirë.”, thotë ajo, ndërsa tregon se i biri merret me prodhimin e verës dhe rakive të ndryshme.

“Kemi një minikantinë të vogël që merret djali me produktin e verës, po të vreshtave tona. Është traditë familjare, ka punuar djali që i vogël. Djali ka mbaruar inxhinieri agromjedisi dhe është në fushën e vet pothuajse.”

“Gjergji Farm” së shpejti pritet të hedhë në treg me emrin e tij të gjitha produktet që prodhon, nga verërat te glikotë. Tërmeti i 26 nëntorit të 2019-ës i dha një goditje të fortë këtij agrobiznesi çka bëri që licensimi të shtyhej për në 2021-shin. Mungesa e kësaj të fundit bëri që biznesi të mos përfitonte asnjë lloj ndihme nga shteti dhe vështirësitë të rriteshin.

“Vështërsia gjithmonë është ekonomike, ajo mungon në radhë të parë. Nëqoftëse nuk ke një emër, nuk futesh dot në treg.”

Tashmë që situata e pandemisë në vendin tonë duket disi më e qetë, “Gjergji Farm” do të jetë destinacioni ideal për të gjithë ata që duan të shijojnë produkte bio mes gjelbërimit dhe qetësisë që të ofron natyra.

Video: