Prej disa ditësh, në Forumin Bizantin të Durrësit ka nisur punën ekspedita e Institutit të Arkeologjisë, e drejtuar nga arkeologia Brikena Shkodra.
Ashtu si ekspeditat e viteve të kaluara, qëllimi kryesor mbetet zbulimi i funksionit dhe rolit që ky forum rrethor ka luajtur në antikitetin e vonë. Gjetjet e ekspeditës së vitit të kaluar hodhën më shumë dritë mbi transformimet që ky forum ka pësuar në rrjedhën e shekujve. Gërmimet e tanishme në pjesën jugore të tij pritet të zbulojnë edhe më shumë në këtë drejtim.
“Ka nevojë që të zgjerohet gërmimi në Forum për të marrë më shumë elementë lidhur me funksionin e kësaj strukturedhe rëndësinë që kishte ajo në raport me ndërtimin e këtij monumenti. Kemi nevojë të bëjmë një lidhje logjike dhe funksionale të këtyre strukturave të ndryshme në kohë dhe në funksion me sa duket”,– thotë arkeologia Shkodra. për “DurrësLajm”.
Forumi rrethor i periudhës bizantine është ndërtuar në qendrën tradicionale të Dyrrahut antik, fare pranë lagjes së vjetër të zejtarëve në Durrës. Gjatë ekspeditave të mëparshme, arkeologët kanë theksuar se poshtë gjetjeve të fragmenteve të godinave romake të banimit, mund të zbulohen edhe gjurmë të kulturës helenistike dhe asaj ilire.
Forumi Bizantin është një nga ndalesat e grupeve turistike të huaja gjatë vizitave që ata kryejnë në sitet arkeologjike dhe historike të qytetit.
M.B.