Klubi i Shahut në Durrës ka organizuar ditën e sotme në shkollën 9-vjeçare “Marie Kaçulini” turneun e shahut.

Mjeshtëri ndërkombëtar i shahut, Lorenc Rama, i cili ishte edhe drejtuesi i simultanes, u shpreh se ky aktivitet ka si qëllim motivimin e fëmijëve për sportin si dhe përfitimet që të vegjëlit marrin nga ky sport.

“Ky aktivitet ka për qëllim, siç e shihni dhe vetë, motivimin e fëmijëve për sportin, edukimi që ka sporti, të mirat që sjell sporti për shkollën dhe të ardhmen.”,– u shpreh Rama.

Ai gjithashtu tha se pjesëmarrja në simultanen e shahut ka qenë e kënaqshme dhe fëmijët kanë shprehur dëshirën dhe aftësitë e tyre për të luajtur.

“Kjo ishte një simultane me një pjesëmarrje mjaft të gjërë, ku fëmijët kanë mundësin të shprehin dëshirën e tyre për këtë sport por edhe aftësitë e tyre aq sa munden.”,- tha ai.

Turneu i shahut do të vazhdojë deri ditën e enjte, ku do të mbyllet me simultanen që do të zhvillohet në shkollën jopublike “Mihal Ekonomi”.