Një i mitur duket se është kthyer në një makth për qytetarët e Durrësit, në lagje të ndryshme të qytetit. Pavarësisht moshës së mitur, djali që do të shihni në videon e mëposhtme duket se është perfeksionuar në artin e vjedhjes.
Raportimet e qytetarëve, të cilët na kanë vënë në dispozicion pamje të kamerave të sigurisë, flasin për një djalë që vjedh mjete elektrike, si biçikleta, motorë, në zona mjaft të frekuentuara.

Ngjarja më e fundit ka ndodhur mbrëmjen e djeshme, rreth orës 20:00, pranë pallatit të njohur si EHV, në afërsi të shkollës “Eftali Koçi”, ku është vjedhur një motor elektrik i parkuar pranë hyrjes së pallatit.

Ndërkohë, videoja e siguruar nga kamerat e sigurisë i përket një tjetër rasti të mëparshëm vjedhjeje, që ka ndodhur në zonën e “Arragostës”, në lagjen numër 1 ku i njëjti i mitur dyshohet se ka marrë një biçikletë elektrike me vlerë të konsiderueshme.

Siç shihet dhe nga pamjet e kamerës së sigurisë, i mituri afrohet me kujdes, vëzhgon zonën dhe pas afro 50 sekondash largohet me objektin të cilit i kishte vënë syrin.

Ky është një rast shqetësues për banorët e Durrësit, pasi i mituri është bërë problematik në disa zona, duke vjedhur mjete me vlerë të lartë materiale.

DurrësLajm ka vendosur të publikojë pamjet me fytyrë të mbuluar, për shkak të etikës dhe moshës minorene të hajdutit.