Kryeministri Edi Rama tregon se është rrugës për në Greqi për të marrë pjesë ditën e nesërme në Panairin e Punës në Athinë. Përmes një postimi në “Facebook”, Kryeministri Rama shprehet se nesër Shqipëria sipërmarrëse do të shkojë tek emigrantët për të ju thënë që të vijnë këtu pasi vendi ka paga të arsyeshme me taksa shumë të ulëta.
Edi Rama: Rrugës për Greqi sot. Nesër në Panairin e Punës në Athinë. Dje, shqiptarët e Greqisë shkuan për të gjetur një punë matanë kufirit. Nesër, Shqipëria sipërmarrëse do të shkojë tek ta për t’u treguar punët që mund të gjejnë këtej kufirit. Kjo është hera e parë që Shqipëria e punës troket në derën e shqiptarëve të Greqisë për të ju thënë “ejani, kam punë për ju, me paga të arsyeshme, me taksa shumë më të ulëta dhe me të gjitha aromat e vendit amë që aq shumë mungojnë kur je jashtë. Ejani nesër për të ju njohur më nga afër me mundësitë dhe për të ju informuar për kushtet e kontratave të punës në Shqipëri, pastaj gjykoni vetë me qetësi, merrni kohë si të jetë më mirë për ju.
Më tej, Kryeministri Rama shton se ky është momenti historik për të përfunduar rrugëtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Edi Rama: Kjo është koha kur për herë të parë mundësia e hyrjes në BE është kaq reale sa dritarja e hapur duket me sy sepse për herë të parë, yjet e fatit tanë dhe të Evropës janë rreshtuar në vijë të drejtë. Shpejtësia me të cilën po ecim me hapjen e kapitujve të negociatave është më e larta në historinë e integrimit.
Jo thjesht se ne po bëjmë detyra me sukses, po edhe se BE janë të interesuar të na fusin brenda në shtëpinë e tyre. Ky është shansi dhe ky është momenti ynë historik për t’i dhënë emrit të Shqipërisë dhe të shqiptarëve atë ngjyrën e artë të yjeve të BE-së duke i dhënë kështu fund njëherë e përgjithmonë poshtërimeve dhe nëpërkëmbjeve të pafundme të gjithë rrugëtimit tonë të mundimshëm në histori.
Kjo është hakmarrja më e ëmbël shqiptare dhe bekimi i të gjithë fëmijëve të shqipes. Të gjithë shqiptarëve, atyre të Greqisë dhe të Evropës, ju them, le t’i harrojmë të gjitha historitë dhe ndasitë dhe të kapemi dorë për dore dhe të bëhemi ylli i ri në flamurin e Evropës së Bashkuar duke u bërë më 11 Maj fuqia e papërmbajtshme e ëndrrës evropiane të shqipes dykrenare dhe pastaj të tjera na i lini ne dhe mua.