Partia Demokratike ka reaguar ndaj një ngjarje në Ersekë, të cilën selia blu e konsideron “ngjarje kriminale”, ku janë përfshirë persona të dërguar nga kryesocialisti Edi Rama, duke bërë që Partia Socialiste të shndërrohet “në sipërmarrje kriminale.”

“Njeriu, të cilit Edi Rama i ka besuar Partinë Socialiste të Ersekës, Orest Malushi, jo vetëm është me precedent penalë për plagosje të rëndë me armë, por bredh edhe me pistoletë në brez dhe godet e kërcënon demokratët, – ka deklaruar sot Enkeleid Alibeaj, kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë në Partinë Demokratike. – Ky drejtues socialist i Edi Ramës, në shoqërinë e kreut të PS së Leskovikut, Sergei Peshtani, dhe drejtorit të Ujësjellësit, Robert Hamzaj, ka qëlluar me armë drejt anëtarit të Partisë Demokratike, Zylyftar Byreku, në një lokal në Shelegur. Për fat, plumbi nuk e ka kapur qytetarin, dhe më pas disa të pranishëm kanë ndërhyrë duke i hequr armën… Inkriminimi skandaloz dhe bashkëpunim i shefave të Policisë me urdhër nga lart në favor të krimit dhe kundër qytetarit është standardi më i keq ku ka mbërritur vendi ynë me Edi Ramën e cubat e tij, që sundojnë nëpër qytete e nuk i kap ligji, që i sjell edhe në parlament për të votuar qeverinë pasi kanë shkaktuar gjakdershje me armë pa leje.”