PD akzuoi qeverinë se përkrah krimin. Në një dalje për mediat nga selia blu, Enkelejd Alibeaj solli edhe disa shembuj që, sipas tij, tregojnë se Rama është i lidhur me krimin, duke mbrojtur personat që janë dënuar dhe më pas janë liruar.

"Çdo ditë po shohim dëshmi tronditëse të drejtësisë nën urdhërat e Edi Ramës, të drejtësisë që ai dëshiron. Pak ditë më parë, gjykata nxiorri nga burgu dhe la të lirë administratorin e Edi Ramës për Kaçinarin, Petrit Bardhi, i cili u kap me 420 kilogramë drogë. Ky është mekanizmi që ka vënë në punë Rama në aleancën e tij me krimin. Fillimisht i jep krimit pushtet, më pas e mbron edhe nga drejtësia. E bëri këtë trafikant kryetar komune e më pas administrator, tani i jep dhe imunitet duke e lënë të lirë edhe pse shtëpinë e kishte mbushur me drogë dhe drogën e tregtonte në Greqi… Për këdo që ka më të voglin iluzion, Rama e ka bërë të qartë zgjedhjen e e tij. Nuk është zgjedhja e tij ligji, drejtësia dhe pastrimi nga krimi. Zgjedhja e tij janë Ndoka, Cubi, Bardhi, Bushi, Roshi e Armando Prenga," – tha Alibeaj.