Sekretarja e marrëdhënieve me publikun ne Partine Demokratike, Grida Duma, e shoqëruar edhe nga kryetari i PD në Lezhë, Paulin Marku, takoi banorët e Torovicës së Lezhës, të cilët vuajnë ende nga përmbytja dhe mungesa e vëmëndjes qeveritare. Një zonë e pasur bujqësore, me mbi 5 mijë banorë, që vuan nga mungesa e rrugës dhe ujit të pijshëm, duke izoluar këtë komunitet i cili jeton në një varfëri të madhe. Banorët i shprehën sekretares Duma shqetësimet e tyre për mungesën e investimeve dhe, në veçanti, të menaxhimit të përmbytjes, pasi ende sot ka hektarë të shumtë toke nën ujë. Ata kërkuan ngritjen e shqetësimeve të tyre për të dalë nga varfëria e skajshme pasi mbi 40 familje kanë lënë fshatin për të kërkuar azil si të vetmen shpresë. Një tjetër shqetësim i banorëve janë edhe faturat abuzive të energjisë elektrike.

Sekretarja Duma u shpreh se Partia Demokratike do të ofrojë çdo ndihmë ligjore për tu ardhur në ndihmë qytetarëve që kërkojnë të drejtën e tyre në dyert e institucioneve të shtetit. “Në fakt, problemet janë shumë të mëdha dhe nuk dua të jem këtu për premtime që njerëzit i zhgënjejnë kur u thonë do të bëjmë 100 % kur mundësitë nuk janë për të bërë 100 % të gjërave, – tha Duma. – Ajo që mund të them për problemet ligjore të qytetarëve e që nuk u njihen të drejtat, si Parti Demokratike kemi vënë në dispozicion mbështetjen juridike falas që të marrin të drejtën në dyert e institucioneve. Kemi realitete më të rëndë si ajo e dy pensionistëve që dy vite përpara kishin gjedhë. Edhe pse sot i matrikulojnë nuk marrin dot paratë e tyre sepse i thonë në Ministrinë e Bujqësisë që je tek lista e militantëve të partisë tjetër që është një nga gjerat që në Shqipërinë e 2016, për të gjitha arsyet bashkë dhe për kaq pak shqiptarë sa jemi, duhet të kishte marrë fund. Por kjo e keqe s’po merr fund.”