Ish-kryeministri Sali Berisha dhe ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli kanë reaguar pas rikthimit të deputetit të përjashtuar të PS, Armando Prenga, në mbledhjen e Komisionit të Sigurisë, tre ditë vetëm pasi u lirua nga “arresti i shtëpisë”.
“Kreu i meduzës, Edi Rama, kthen në detyrë vrasësin Prenga! Të dashur miq, sot vrasësi i Edi Ramës, Armando Prenga, njeriu që qëlloi me revole të fshehur një qytetar, Cali, tek dera e shtëpisë së tij dhe tjetrin vëllain e të parit brenda në komisariat policie, njeriu për të cilin mediat italiane kanë transmetuar një emision të veçantë si delinkuent, hajdut ordiner dhe trafikant, u kthye sot në detyrë triumfator në parlament. Kjo, sepse Edi Rama me gjykatësit e tij vrasës sa vet vrasësi Prenga, e liruan atë dhe mbajtën në burg viktimat e tij. Qytetarë, të gjithë në këmbë që me revolucionin demokratik të shpëtojmë veten nga kthetrat e zeza të krimit, të përmbysim me të gjitha mjetet paqësore të mosbindjes civile Edi Ramën, që ka shndërruar qeverinë dhe parlamentin e tij në organizate kriminale,” – shkruan ish-kryeministri Berisha ne Facebook.
Edhe deputetja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli, ka reaguar në një postim në faqen e vet zyrtare në Facebook. Topalli e cilëson trup dhe degradim faktin që deputetit që qëlloi me armë qytetarët e tij të vijë në komision e të kërkojë llogaridhënie për sigurinë e rendin në vend. “Në komisionin e sigurisë pasi qëlloi nga komisariati qytetarët e tij me armë! Kthehet si deputet dhe fill e në komisionin e sigurisë, të atij komisioni parlamentar që duhet të kërkojë llogaridhënie për sigurinë e rendin në vend. Është për të ulëritur! Dhe e gjitha kjo pas betejës që në Kuvend është bërë kundër njerëzve me rekorde kriminale, pas votimit të ligjit për dekriminalizimin, pas vizitës së Kerry-t që kërkonte pikërisht zbatimin e këtij ligji," – shkruan Topalli.





