Edhe pse kanë dalë prej vitesh në pension, shumë të moshuar janë të detyruar të punojnë për shkak se me pensionin që marrin e kanë të pamundur të përballojnë jetesën.
Shumëkush e ka parë Hamit Reçin, 76 vjeç, i cili prej vitesh del me peshore para bashkisë së Durrësit për të fituar diçka për familjen. Pensioni i tij dhe i bashkëshortes nuk mjafton për të gjitha shpenzimet mujore.
Ai ka punuar 26 vjet në kooperativë në Laç dhe me pensionin që merr, ai dhe bashkëshortja e tij nuk mbulojnë dot shpenzimet për ilaçe, ushqime dhe pagesat e faturave. Ndodhur në këto kushte ai detyrohet të dalë me peshore si edhe të shesë letra duasrh për kalimtarët çdo ditë, në të nxehtë e në të ftohtë.
“Dua të dal, me ngrënë, me jetuar, se s’më del pensioni. 26 vjet në Bujqësi, me librezë pune. 60 mijë lekë i dua ilaçe në muaj, edhe 60 mijë drita e ujë. Ushqimet janë me çmime të larta, nuk i përballoj dot. Këtu fitoj 1000 lekë në ditë, 1500, më shumë se 2000 lekë në ditë nuk i kap dot”, thotë Hamiti.
Bashkim Metaj është një tjetër pensionist që ka punuar gjithë jetën marinar në det, por pensioni minimal i ka dalë prej 11 mijë lekësh të rinj në muaj. Edhe Bashkimi i moshës 75 vjeç, detyrohet të punojë në anije për të siguruar pak të ardhura shtesë për të përballuar muajin.
“Në kohën e diktaturës, pensioni i marinarit ishte gati-gati njësoj me rrogën. Kishim një ligj ne marinarët që tani s’na e njohin fare: 18 vjet e 8 muaj dilje direkt në pension, pavarësisht moshës që kishe. Tani unë nuk mund të pres nga kalamajt të më japin me ngrënë e pirë dhe do dal të punoj vetë”.
Pensionistët thonë se duhet të rriten pensionet pasi edhe pse brezi i tyre ka punuar për dekada me radhë në punët më të vështira, në realitetin e sotëm mbeten të diskriminuar.