Peshkatarët e Durrësit kanë denoncuar atë që e konsiderojnë abuzim në kurriz të tyre me çmimin e naftës. Në një deklaratë të bërë në ambientet e Organizatës së Menaxhimit të Peshkimit, kreu i saj Qemal Beu, tha se peshkatarët e Durrësit po e marrin naftën me 60 lekë më shumë sesa Shëngjini, Vlora dhe Saranda.

“Prej dy -tre muajsh po abuzohet me çmimin e karburantit për anijet e peshkimit Durrës. Fajësojmë kompanitë që kanë të drejtën e furnizimit të anijeve të peshkimit me karburant. Sipas ligjit, duhet të bëhet transparenca, kush e ka shkelur atë.  Durrësi i ka jo më larg se 7 km depozitat e karburantit dhe çmimi del në Shëngjin dhe Vlorë 100-110 lekë për litër më pak”.

Për nënkryetarin e kësaj organizate, Besim Troplini, subvencionimi me 40 lekë që po bëhet nga qeveria nuk po u vjen në ndihmë peshkatoreve të Durrësit për shkak të diferencimit në çmimin e naftës. Në emër të organizatës, ai kërkoi rimbursim të flotës së peshkimit për abuzimin e bërë nga 3 kompanitë që i furnizojnë me karburant.

Në Durrës çmimi mbahet shumë më i lartë se në 3 peshkimet e tjera. Nuk kërkojmë që t’i ngrihet dhe 3 peshkimeve të tjera, por kërkojmë urgjentisht, të na bëhet sa më parë transparencë për këtë mbiçmim që ka Durrësi. Të paguhen të gjitha subjektet e peshkimit në Durrës që ju është mbajtur padrejtësisht nga 8 deri në 10 lekë për litër karburant”,- tha Troplini.

Në vitet e fundit, anijet e peshkimit në Durrës kanë vazhduar punën edhe falë punësimit të shumë shtetasve egjiptianë.

Ditët e fundit, po konstatohet ikja masive e tyre dhe kjo ka sjellë që 4 anije të flotës të ndërpresin punën”, tha Klodian Kapiti, kreu i sindikatës së peshkimit, sipas të cilit kjo është një këmbanë alarmi.  

Rritja e çmimit të naftës për shkak të konfliktit Ukrainë – Rusi ka goditur rëndë sektorin e peshkimit, që prej disa muajsh tashmë ka rritur ndjeshëm çmimin e produkteve të detit. Sipas organizatës së peshkimit, sektori po del deficit dhe rrezikon kolapsin në të ardhmen.

M.B.