Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Në mos gaboj, me 14 maj 2022 teksa “kolovitesha” në faqet e fb, përqendrohem tek një material me titull : “Një shembull i pashembullt” dhe poshtë saj një si nëntitull, “Gjigandi i mirësisë dhe dashurisë njerëzore Petrit Myshketa”. Firma e këtyre rradhëve është e Esat Ypit, doktor profesorit tonë, nga mendimtarët tanë në Durrës, intelektual i spikatur, një shembull i urtësisë, fisnikërisë dhe mirësisë. Nuk e besova dhe aq më pak mendova, se ato që do të lëxoja pas pak, do të më befasonin dhe pse jo të më trondisnin dukshëm. Aq e vërtetë është kjo, sa edhe pse kanë kaluar ditë nga njohja me këtë material, vëmëndja më merr ende kohë për atë që ka shkruajtur Ypi, me një sintezë tjetër titullues: “Vij unë”.

Ypi me fjalë të goditura, të zakonshme në fjalëformimn e tij prej mendimtari, na shkakton mornica. Në vitin 1946 babai i Esatit, Asllan Ypi i bleu shtëpinë Asim Myshketës, në zonën ku sot është posta e qytetit. Me këtë rast, u përpilua edhe dokumenti i ndërrimit të pronarëve. Por kur Asllan Ypi tentoi ta hipotekonte shtëpinë e porsa blerë, qeveria e kohës nxjerr vendimin për shtetëzimet. Jo vetëm që shtëpia nuk iu dha Asllanit, por i mbeti në pronësi Asim Myshketës. Keqardhja ishte e jashtëzakonshme për të dyja palët. Pas 90-tës, u njohën pronarët e ligjshëm.

Por situatat nuk ishin të njëjta. Asllan Ypi, Asim Myshketa dhe ndërmjetësi Mit Gilja janë larguar prej dhjetra vitesh nga jeta. Kjo e detyron Esat Ypin të trokasë në derë të Petrit Myshketës, me të cilin kishte njohje të hershme. Ia tregon hallin dhe Petriti bën atë reagim jo të zakonshëm, për të mos thënë të jashtëzakonshëm. Ai i kujton Esatit, se një zotni me barsolino që ishte mësues, i dorëzon babait lekët për blerjen e shtëpisë. Dhe e mban mënd këtë moment, pasi ishte në moshën 10 vjeçare. Petrit Myshketa e thelloi më shumë mirësinë, duke e zgjeruar sa “katër dritare” zemrën e tij dhe i tregoi Esatit ta kalonte problemin në gjykatë.

-Vij unë! u shpreh Myshketa, për të sqaruar gjithçka kërkohet.

Esat Ypi në vënd të ngushëllimit për largimin nga jeta të Petrit Myshketës, sjell këtë fakt që të len pa frymë. Në saj të dëshmisë së Petritit, shtëpia i kaloi në pronësi Asllan Ypit dhe i gjithë ky fis iu gëzua trashigimisë.

Kjo është ngjarja. Këtu merr shkas edhe hipnoza ime, e cila zor se mund të ndalet ndonjëherë. Petrit Myshketa, i lindur në Durrës me 6 maj të vitit 1936 dhe i larguar nga jeta me 29 korrik 2007, është i njohur në Durrës. Por rruga ka qenë e hapur. Fisi i Myshketave në Durrës, është shumë i njohur, madje i famshëm. Të parët e tyre, kanë ditur të themelojnë një fis, që nderi nuk do t’u takonte vetëm atyre, por çdo durrsaku. Na kanë mbuluar me mburrje, me krenari. Na kanë veshur me një lloj qytetarie që na jep vlera krahasuese dhe na ngren rryben kur “matemi” me të tjerët. Nxitur nga feja së pari, e më pas nga trashigimia më e mirë, Myshketat çfaqen dukshëm të urtë, punëtorë, të mënçur, të matur, fjalëpak e zotnillëk shumë.

Në punët e mia kam hasur shumë të urtë të tillë, në të tri anët e besimit: mislimanë, ortodoksë e katolikë. Ata mbajnë peshën e kulturës durrsake. Të arsimuar, një pjesë jashtë atdheut, tregtarë me “mustaqe”, pra me peshë, me gjuhë të huaja, por edhe me bagazh artistik. Dhe këtu Myshketat dhe për këtë jam shumë i sigurtë, nuk zejnë vendin e parë vetëm në Durrës, por në të gjithë Shqipërinë. Tamam një “Casa Ricordi”.

Kur flas me Xhani Myshketën, nga i cili përfitoj kulturë komunikimi, mësoj se nga Myshketët janë 40 pjestarë aktivë që aktivizohen me muzikë. Në se ka puse nafte, për të treguar rezervat e mëdha që ekzistojnë, për Myshketat do të thoja pa më voglin hezitim që janë “puse” të pashtershme muzikore. Sonda e gazetarit, nuk e ka shumë të vështirë të zbuloj mineralin e rrallë, por të pasur të muzikës Myshketiane. Nëse do të nisja t’i numuroja, ky shkrim nuk do të mbaronte asnjëherë.

Që të gjithë Myshketat për fat i njoh, njërin më shumë se tjetrin. Për më të vjetrit më ndihmon ky Xhani, që mbetet një virtuoz i xhezit, por duke mos nënvleftësuar edhe zërin e tij. Nuk e dija se çifti Asim dhe Hatixhe Myshketa, janë shtuar me 9 fëmijë. Pa tjetër që do t’i përmënd të gjithë ata: Xhemili, Ahmeti, Atlija, Petriti, Ismetja, Skënderi, Shpëtimi, Fatmira dhe Refiku. Tek vendi ku durrsakët e quajnë “shtëpia e kinezëve”, jetonin Myshketat dhe sot e trashëgojnë këtë pronë.

Vëllai i Asimit, Ahmeti ishte tregëtar i njohur dhe u dha shumë pas blerjes të veglave muzikore. Shtëpia e Myshketave u kthye në panair të veglave muzikore, piano, fizarmonikë, kitare, mandolinë, klarinetë e çdo gjë tjetër që prodhonte tingull. Dhe të gjithë Myshketët e kthyen familjen në një shkollë të artit muzikor dhe jo rastësisht të gjithë u bënë të njohur.

Aftësia e tyre i bëri të famshëm. Urtësia dhe kultura e tyre, i bënë qytetarë konkurues. Dashuria për njerëzit, ndershmëria, rrezatimi i tipareve më të mira të shoqërisë buronin edhe nga besimi, kundrejt veçmas edhe trashigimisë. Është shumë e vështirë të dallosh njërin nga tjetri, por në këtë rast Petrit Myshketa shkëlqen me faktin e bërë publik nga eruditi ynë Esat Ypi. Sa të mënçur kemi dhe pak u jemi përkushtuar atyre! Diçka po tentoj, por mbetetmi ende prapa asaj që duhet bërë.

Petrit Myshketa ishte burim i humorit. Humori në gojën e Petritit ishte kthyer në art. Ky Petrit bënte një disidencë shumë të zgjuar, si vetë arti i tij. Ironizonte, rrezikonte paksa, por ishte shumë i mënçur për t’ia dalë. Ka patur shumë shokë, shumë miq, një prej të cilëve edhe mua. Na lidhi puna. I ka dhënë shumë kulturës durrsake Petriti, si një pjesë e oqeanit të madh të artit dhe kulturës durrsake që krijuan Myshketët. Fizarmonika e tij nuk u “lodh” teksa krijonte tinguj, që krahas muzikës prodhonte edhe pjesë të shpirtit të Titit tonë, aq hokatar, aq i ëmbël, me një miqësi të lyer pastër nga pastërtia e shpirtit të tij.

Ky zotni i muzikës dhe i miqësisë, me 6 maj mbushi 86 vjetorin e lindjes dhe me 29 korrik gjithnjë të këtij viti, është në 15 vjetorin e largimit nga jeta. Zemra e tij u lodh nga peshat e rënda dhe ta pamerituara të jetës, duke e dorëzuar frymëmarrjen në moshën 71 vjeçare. Sa do të donim ta kishim pranë, për ta shijuar miqësinë me të dhe veçanërisht humorin e rrallë dhe shumë domethënës!

Tani u “kapa” me Petritin, duke qenë fort i sigurtë se të gjithë Myshketët e meritojnë këtë lloj “kapje”. Një dinasti që është në rrënjë të qytetarisë durrsake. Edhe rrënjët e rrënjëve të këtyre Myshketëve, shkëlqejnë. Degë pas degëve janë të mbushura me fruta, shijen e të cilave po i shijojnë njerëzit. Është investim i kahershëm dhe që ruhet fort edhe tani. Myshketët e rritur i gëzohen fëmijve të tyre, i gëzohen nipërve dhe mbesave të tyre, të cilët janë në lartësinë e trashigimisë, duke ruajtur me fanatizëm gjithçka të arritur.

Këtyre Myshketëve, duhet t’u falemi dhe t’u jemi mirnjohës, që me punën e tyre na kanë shtuar krenarinë. Dhe kjo ndjehet, preket.

“Vij unë”! Kujtesa magjike e Esat Ypit. Kështu e kujton “Shembullin e pashembullt” të Petrit Myshketës. Edhe në vlerësimin e punës tënde Esat, mangësitë e atyre që kanë në dorë ngacmimin e qytetarisë durrsake, borxhet janë deri në fyt. Por njëherë tjetër do të merrem me to. Tani i përkushtohemi një njeriu të madh të Myshketave. Është fjala për Petritin, Petritin e këtyre Myshketave gjithnjë kraleartë dhe sfidues.

Durrës: 17 maj 2022