Babagjyshi sot erdhi në Qoshkun e restaurimit!Fëmijët nga Qendra Kulturore e Fëmijëve Durrës, së bashku me prindërit dhe mësuesit e tyre, erdhën sot në Qoshkun pranë Kantierit të restaurimit te Kullës C të Kalasë së Durrësit.

Pasi zbukuruan Qoshkun, dhe e stolisën atë me punimet e tyre dhe me fotografitë e aktiviteteve që ishin bërë aty gjatë vitit 2021, fëmijët morën dhuratat që babagjyshi kishte sjellë për ta!

Qoshku është një strukturë provizore, që ndodhet brenda kantierit të restaurimit të Kullës C, e cila u dëmtua nga tërmeti i vitit 2019. Nga Shtatori, kjo strukturë funksionon si një hapësirë e re edukimi dhe socializimi, që i dedikohet Kullës C, dhe procesit të restaurimit të cilit ajo po i nënshtrohet. 

Qoshku do të jetë i hapur gjatë gjithë kohës që do të vijojnë punimet e restaurimit për të gjithë qytetarët kureshtarë e të interesuar.

Projekti i restaurimit të Kullës C po implementohet nga organizata “Cultural Heritage without Borders Albania”, me mbështetjen e Departamentit Amerikan të Shtetit dhe Fondit të Ambasadorëve për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore, Ambasada e SHBA dhe Suedia si dhe në bashkëpunim me Fondin e Monumenteve të Botës dhe Ministrisë së Kulturës.