Presidenti Ilir Meta ka pritur në presidencë një grup studentësh të programeve Bachelor dhe Master të Departamentit të Shkencave Politiketë të Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës.

Në një postim në rrjetet sociale, UAMD shkruan se në takim u diskutua mbi gjeopolitikën, rolin e Shqipërisë në Rajon, luftën në Ukrainë, ndikimin e saj në Europë, si dhe nevojën e arritjes së më parë të një marrëveshjeje përmes dialogut dhe diplomacisë.

Ndërkohë, Presidenti Meta gjatë bisedës së hapur ka deklaruar se “Demokracia është arma më e mirë për të siguruar paqe, mirëqenie dhe zhvillim për popujt, ndaj sa më shumë forcohet demokracia aq më shumë parandalohen konfliktet”.

Në postimin e tij në “Facebook”, Kreu i Shtetit shton se ka vlerësuar rëndësinë e gazsjellësit TAP për sigurinë energjetike të Europës, projekt që rrit ndjeshëm pavarësinë nga gazi rus.

Postimi i UAMD-së:

Presidenti Ilir Meta priti në Institucionin e Presidentit të Republikës një grup studentësh të programeve Bachelor dhe Master të Departamentit të Shkencave Politike në UAMD.

Në bashkëbisedimin e hapur u diskutua mbi gjeopolitikën, rolin e Shqipërisë në Rajon, luftën në Ukrainë, ndikimin e saj në Europë, si dhe nevojën e arritjes së më parë të një marrëveshjeje përmes dialogut dhe diplomacisë.

“Demokracia është arma më e mirë për të siguruar paqe, mirëqenie dhe zhvillim për popujt, ndaj sa më shumë forcohet demokracia aq më shumë parandalohen konfliktet”, theksoi Presidenti i Republikës.

Studentët patën gjithashtu mundësinë të vizitonin mjedisiet e Presidencës duke u njohur me historinë e godinës, simbolet e saj, organizimin dhe ceremonitë protokollare diplomatike të delegacioneve të larta që e vizitojnë, etj.

Me zyrtarët e Presidencës u diskutua edhe çështja e kryerjes së praktikave studentore pranë këtij institucioni të rëndësishëm.

Postimi i Metës:

Mirëprita sot, më kërkesë të tyre, një grup studentësh të Universitetit të Durrësit “Aleksandër Moisiu”, të cilët ndjekin kurset master në degët e juridikut, marrëdhënieve ndërkombëtare dhe shkencave politike.Në bashkëbisedimin e hapur në kontekstin e zhvillimeve të fundit, theksova rëndësinë e ndaljes së agresionit rus dhe luftës në Ukrainë dhe arritjes së më parë të një marrëveshjeje përmes dialogut dhe diplomacisë. Demokracia është arma më e mirë për të siguruar paqe, mirëqenie dhe zhvillim për popujt, ndaj sa më shumë forcohet demokracia aq më shumë parandalohen konfliktet.Nuk duhet të harrojmë se liria nuk duhet marrë kurrë si e mirëqenë. As si dhuratë. Por ajo duhet mbrojtur në çdo kohë.Vlerësova rëndësinë e gazjellësit TAP për sigurinë energjitike të Europës, projekt që rrit ndjeshëm pavarësinë nga gazi rus.TAP është investimi i huaj më i rëndësishëm strategjik në vendin tonë.Falë TAP-it, Shqipëria luan një rol të rëndësishëm në infrastrukturën energjetike strategjike europiane dhe ne duhet të krenohemi për këtë.