Një tjetër sukses i fëmijëve të Qendrës Kulturore të Fëmijëve Durrës. Në edicionin e dytë të festivalit kombëtar të teatrove për fëmijë “Një mbi një dritaret”, të organizuar në qytetin e Beratit, trupa e QKF-së është nderuar me çmimin e dytë.

Në këtë event kulturor, trupa e Durrësit, e përbërë nga 46 fëmijë, u prezantua para jurisë të përbërë nga 3 emra të njohur të skenës shqiptare si Ndriçim Xhepa, Zamira Kita dhe Anila Bisha me musical-in “Pleshti dhe xixëllonja”, të përshtatur nga regjisorja Driada Dervishi.

Festivali nisi me nxënësit e Qendrës Kulturore të Beratit dhe u mbyll me fëmijët e Durrësit, ndërkohë që gjatë ditëve të tjera interpretuan fëmijët e shkollave të Kukësit, Tiranës, Fierit, Vlorës, Dimalit, Shkodrës, Korçës dhe Elbasanit.

Interpretimi i vogëlushëve nga Durrësi korri duartrokitje nga publiku në sallë, ndërkohë që Erla Kume u vlerësua me çmimin inkurajues “Aktorja më e mirë”.

Çmimin e parë, juria e festivalit ia akordoi shfaqjes “Një ngjarje e pazakontë”, të interpretuar nga fëmijët e Korçës.

Festivali Kombëtar i Fëmijëve në Berat, një risi që nisi për herë të parë vitin e kaluar, synon të realizojë edukimin e fëmijëve nëpërmjet teatrit, duke shkëmbyer kështu kulturën dhe traditat mes qyteteve shqiptare.