Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Ka ditë që në faqet tona në fb qarkullon një foto. Është bardh e zi dhe shumë e pastër. Si një buqetë me lule, qendrojnë aty të lidhur shpirtërisht njëri me tjetrin, 19 farmacistë dhe një sanitare. U befasova kur e pashë. Qarkullon kjo foto në kohën e duhur. Jam i sigurtë dhe këtë e kam testuar, që kjo foto ka tronditur shpirtërisht durrsakët, pasi është pjesë e historisë së tyre. Madje e pjesës më të bukur, më tërheqëse të kësaj historie. Është identiteti ynë, tradita e jonë, optimizmi gjithnjë aktiv përsëri i joni. Dhe këtu kemi të drejtën e krenarisë, pasi është dhe mbetet pjesa e jonë e patjetërsueshme.

Flitet se kjo foto burimin e ka tek Diana Ciko. Është e bija e njërës prej farmacisteve që quhet Emine Ciko. Nga ky “burim” i Dianës, po pijmë ujin e historisë që na është bërë gjak brenda dejeve tona, të gjithë ne, pa përjashtim. Mbetem i prekur, mbetem i emocionuar nga qindrat e komenteve, ku është përfshirë një popull i tërë. Mbesa përshëndet gjyshin apo gjyshen, fëmija prindërit, miqtë njëri tjetrin, të afërmit gjithashtu njëri tjetrin dhe të gjithë së bashku, ngritëm sa një mal gazimin dhe entuziazmin.
Pse është e veçantë kjo foto? Ka të tjera shumë më të bukura. Atëhere të vimë tek logjika e mëparshme: këtu nuk kanë dalë pamjet formale të 20 vetave, por zemra dhe shpirti i tyre. Dhe kjo zemër dhe ky shpirt, është më i bardhë se bardhësia e veshjeve të tyre. Dhe kjo bardhësi bëhet edhe më shprehëse, kur mbulohet nga gëzimi i një populli të tërë. Dhe befasia vjen së bashku me bukurinë e rrallë të një historie, që vlen dhe aq më shumë të shkruhet e përkujtohet kësisoj.

Kjo foto është shumë e thjeshtë dhe modeste në anën formale të saj. Por ka brenda historinë e një grupi njerëzish të jashtëzakonshëm, pikërisht në thjeshtësinë dhe modestinë e tyre. Është foto që shikohet me shpirt, pasi brenda 20 shpirtërave të 20 vetëve, lëviz dhe ndjehet i gjallë edhe shpirti yt.

Të 20-tët më duken si pulëbardha, që fluturojnë dhe guasin në detin shpirtëror të punës së tyre të pastër si kristal, të mbuluar me një bardhësi si kristal, të gjallë, të shndritshëm si kristal. Janë famacistët tanë, që i shërbyen popullit të Durrësit dhe fiksuan gjurmët e një pune të pastër, të artë, hyjnore, të prekshme deri në qelizën më të thellë të shpirtit tonë. Tronditesh kur e vështron. Fillon dhe bashkëbisedon me to. Të gjallët bëhen më të gjallë. Ato që nuk jetojnë bëhem akoma edhe më të gjallë. Dhe ato që nuk janë në këto foto, bëhen akoma më të gjallë nga freskia dhe gjallëria e kujtimeve tona, të asaj memorie që s’ka për ty ndryshkur kurrë në jetë të jetëve.

Më brente meraku ta zbërtheja këtë pamje, një për një, pa lënë në harresë asnjë emër dhe asnjë mbiemër. Kjo përbënte vështirësinë, por edhe bonusin e autorit të këtyre rradhëve. U lidha dhe me çfarë nuk u lidha. Komunikova edhe me Milanon, atje ku banon prej shumë vitesh fisnikja e jonë, bashkëshortja e Agim Dritës, e bardha Fatbardha e jonë. Iu luta të më ndihmonte, për ta zbërthyer këtë fiksim të rrallë dhe ma do mëndja edhe unikal. Dhe pata fatin e bardhë, që memoria e Bardhës tashmë e plakur disi edhe ajo, shkonte paralel me bukurinë mahnitëse të pamjes. Kujtuam së bashku të gjallët, por edhe ato që nuk jetojnë. Bëmë detyrën tonë, atë detyrë që mund ta bënte dhe po e bën secili prej nesh.

Falenderime pa fund Bardha, që mbetesh pjesë e Durrësit tonë edhe atje, mbetesh pjesë e kësaj fotoje të përmallshme, që lyhet me lotët e shpirtit. Çdo njëri prej tyre është një kapitull asnjëherë i mbyllur, por i shkruar me lavdinë e një ngarkese të madhe, frymëzuese, ku zemra fliste e para, ku shpirti mbetej kryefjala e çdo dite pune. Janë farmacistët tanë. Janë heronjtë tanë. Janë ato që preknin të parët temperaturat e larta të fëmijve, duke dëgjuar të qarat e tyre. Janë ato që preknin të parët shqetësimin e njerëzve, për një sëmundje të papritur që u ishte çfaqur dhe bëheshin njësh me ta, duke i dhënë krahë të mos mërziteshin, se e keqja do të kalonte. Dhe punonin për ta. Dhe u shërbenin atyre si pjesë e halleve dhe e shqetësimeve.

Të gjallë, të pastër çfaqen farmacistët tanë, kjo pararojë shpirtërore e popullit të Durrësit. Secili ka historinë e tij, të shkruar me gërmat e arta të dala nga zemra e tyre. Ata nuk ishin thjesht farmacistë. Ato kurrë nuk ishin shitës ilaçesh dhe këtu paralelja godet kohën e tanishme. Ata ishin shërues. Ishin mjekë e kaluar mjekut. Ata i prodhonin vetë ilaçet me aftësitë e tyre, duke punuar shumë, studiuar shumë, përkushtuar shumë, e dashuruar shumë njerëzit që së bashku ndanin bukën në një qytet.

Kë mund të dallosh?! Do gabohesh për të ndarë njërin, qoftë me milimetra nga tjetri. Ata mbetën të njëjtë në përkushtim, në respekt të profesionit dhe të dashurisë për njeriun. Mikel Nushi! I shkolluar në Torino që në vitin 1935. Me gjuhë të huaj. Babaxhan. Me zemrën mbushur plot me florinjtë e shpirtit. Koçi Kere! Një jetë pranë ilaçeve. Sa ka dhënë. Humori dhe e qeshura e tij, janë në themelet e farmacisë durrsake. Po Liri Muho? E veshur e tëra me urtësi. Gruaja e të mirit Boço Muho. E ëma e fenomenit të shtypit shqiptar Sokol Muhos, që u nda shumë i ri nga ne. Grua e rrallë. Bardha Drita, që dritë i kishte edhe puna. Evelina Dhimitriadhi, korçarja simpatike që u akomodua me shpejtësinë e erës me Durrësin. Dhe së bashku me të mrekullueshmen Enerieta Priftin (Etka), mbaruar studimet në Gjermani, përbënin dyshen e artë të korçareve të Durrësit.

Jeta Shehu, që e shkriu jetën në tabletet e ilaçeve. Drita Dizdari, e shoqja e një kuadri të njohur Mustafa Dizdari, peshë e rëndë në këtë Durrësin tonë. Rezana Shëngjergji, bashkëshortja e shokut tonë ta paharruar Fatmir Shëngjergjit. Gjyle Kasmi, e shoqja e mikut tonë të shtrenjtë Agim Kasmit, që fatkeqësitë nuk e ndanë nga pasioni për punën. Marjeta Thanasi nga derë heronjsh dhe u kthye në heroinë e punës. Dhe së bashku si një grusht formuar nga përkushtimi dhe vetmohimi i shërbyesit të popullit, qendrojnë Suzana Serani, Harikla Liperi, Reveka Pope, Marie Cara, Sheqere Laknori, Dhoksi Karabeci, Tanja Spahiu, Nurije Mexhidi (sanitare), Naime Gashi dhe Emine Ciko.
Farmacistët e Durrësit të viteve 60-të, 70-të, 80-të janë shumë, aq sa nuk mund të renditen të gjithë. Por disa që nuk jetojnë do t’i kujtojmë, pasi në një limit është edhe vetë memoria e jonë. A mund të harrohen Ruzhdi Peshkopia, Abdyl Hoti, Telemak Dalani, Ilia Minga, Teodor Karanxha, Suzana Malaveci, Kumrije Çitozi, Fitor Hoxha? Puna e madhe, zemra e madhe e lëng peng në sakrificat e një përkushtimi të pashoq, bënë atë histori të madhe që quhet farmacia e përparuar durrsake.

Këto i rradhë i trajtova si një detyrim, që i vjen përshtat atij kostumi që është i veshur shpirti im, për t’iu dorëzuar pa kushte punës së madhe me vlera historike të farmacistëve të Durrësit. Që kur ecnin të detyronin ti respektoje. Dhe kur jep i pari respekt dhe shpërndan dashuri lidhur si aliazh me fisnikërinë, e ke fituar respektin tek tjetri. Dhe kështu ishin këto farmacistë. Nuk të bën të madh pasuria dhe aq më keq kur nuk është vënë drejt. Të madh, të përjetshëm të bën kjo thjeshtësi, kjo dashuri, kjo bukuri e zemrave të këtyre bluzave të bardha, që ia zbardhën jetën të tjerëve me atë që kishin në dorë.

Të mënçur dhe të thjeshtë, të dashur dhe kokëulur, të bukur dhe të respektueshëm, profesionistë dhe modestë, të shkolluar dhe të përkushtuar, të durueshëm dhe punëtorë të mëdhenj, ato pra, faramacistët durrsakë krijuan atë portret, që është rrënjosur në kujtesë dhe çfaqen me bukurinë e kësaj pamje të rrallë.

Kjo foto e realizuar në mjediset e farmacisë numur 1 në vitin 1984, 38 vite të shkuara, ka një fuqi të pazbehur sikur edhe 100 vite të tjera të kalojnë. Është fuqia e atyre njerëzve, që i dhanë jetë nga jeta e tyre jetës së njerëzve.
Sa presion bën kjo foto e vitit 1984 në ditët e tanishme, përfundimin le të nxjerrë secili. Puna ime mbaron, kur fillon të ngacmohet memoria dhe dashuria e juaj për këta 19 farmacistë dhe e dhjetra e dhjetra të tjerëve si këto.
Është një dashuri që sa vjen e merr nota përjetimi. Dhe kemi të drejtë ta bëjmë këtë.

Durrës: 27 janar 2022
Prezantimi i plotë i fotos së një grupi farmacistësh durrsakë. Pamja është fiksuar në Farmacinë nr. 1, në vitin 1984.
Na rradhën e parë nga e majta:
Liri Muho (nuk jeton), Koço Kere, Jeta Shehu.
Në rradhën e dytë nga e majta:
Mikel Nushi (nuk jeton), Naime Gashi (nuk jeton), Emine Ciko.
Në rradhën e tretë nga e majta:
Evelina Dhimitriadhi, Fatbardha Drita, Suzana Serani, Harikla Liperi, Reveka Pope.
Mbrapa Evelinës është Marie Cara (nuk jeton), ndërsa pas Fatbardhës është Sheqere Laknori (nuk jeton).
Në rradhën e katërt nga e majta:
Tanja Spahiu, Marjeta Isaku, Nurije Mexhidi (sanitare), Drita Dizdari, Rezana Shëngjergji, Dhoksi Karabeci (nuk jeton) dhe Gjyle Kasmi.