Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Kam shkruar për Namik Sadikun, i bindur se kam folur për një njeri shumë të thjeshtë, që nuk e njeh qetësinë. Rehatisë i gjuan me shkelmin e ngacmimit, për të parë përtej asaj që mundet. E njoh prej kohësh, por edhe më shumë mbetet për ta njohur. Ndryshon përditë, në çdo kohë, në çdo çast. Të gjitha bastet i ka vendosur me veten dhe i ka fituar. Një kundërshtar shumë i fortë, i qendron përballë dhe kërkon ta sfidoj pa pushim, pa ndërprerje. Dhe cili është? Quhet Namik Sadiku.

Sfida gjithë kohën qendron me vetveten, aq sa kjo e bën të mbetet i pandryshkur, i freskët, i gjallë, energjik, kërkues, hulumtues, e kështu mund të vazhdojmë gjatë. Ai gërmon në thesarin e fshehur të aftësive, për t’i nxjerrë në dritën verbuese, ku secili nga ne shikon se çfar bën ky Namik Sadiku.

E nisi punën me një trastë në krah dhe hapi një aktivitet që s’kishte ku të rrotullohej. Çapiti jashtë kufijve për të bërë biznes të pastër dhe për të rritur mirqënien. Lodhje e mundim sa nuk mund të mendohet. Namiku ynë e njeh muzikën, e ushtron me pasionin e një të riu. Dhe ritmin e kësaj muzike ia aneksoi dhe biznesit, mëndjes së pasur dhe vizionit për të parë larg, shumë larg.

Është nga të parët, që nisi të lexoj faqet e para të romanit të vështirë të jetës, të asaj jete aspak për ta patur zili dje, por për ta ndrequr sa mundet në kohën e nismave të lira. Mosha e tij 65 vjeçare është e ndarë në gjysëm, 33 vite i takojnë të djeshmes dhe 32 vite janë bërë në sistemin e kapitalit.

33 vitet e parë, janë mundime por edhe histori të vlefshme që vendosën themelin ku u ngritën katet e 32 viteve të tjera, që rëndom vazhdojmë t’i quajmë tranzicion. Në karakter, në moral është i njëjti. Njeri shumë i dashur dhe i respektuar nga shokët. E donte miqësinë dhe e kërkonte atë. E ruante dhe vazhdon ta ruaj si pasuri të patundur të godinës së tij 65 vjeçare. Pas 90-tës, nis aventura e tij me vetveten. Dhe përçfardo që të flas apo shkruaj për të, është pozicioni i vizionarit, i atij që shikon larg, i bindur për të mos u kapur në befasi dhe për të mos rënë në rastësi dhe spontaneitet. Dhe fatmirësisht kështu ka vepruar.

Traktori i penës time, ka lëruar shumë parcela në tokën e jetës së Namik Sadikut. Dhe ka vështruar që kjo tokë, mbetet gjithnjë e pasur me humusin e mendimeve dhe nismave të tij befasuese, duke të tronditur dhe gëzuar njëkohësisht. Më vjen mirë që ai nuk kërkon lavde dhe as nuk i duhen ato. Por mendimet e mia, vendosur në majën e lapsit kërkojnë të zhbirilojnë në këtë tokë pjellore dhe gjithnjë të begatë të jetës dhe punës së Namik Sadikut.

Para biznesit, ndërtoi një familje më shumë se të mirë. Natasha, gruaja e tij e artë, Arturi dhe Blerina katërshja që plotëson familjen krenare dhe kryelartë Sadiku, janë thesari i Namikut. Dhe pas kësaj biznesi mbeti fusha e hapur, ku do të dominonin sprovat e panumurta të një njeriu që ngrihej me djersë e tij, lagej dhe bëhej qull prej saj. Dhe nuk mendoi se i vinte mirë, ta konsideroje paksa në gjëndje të mirë ekonomike, të asaj se çfar do të bëhej pas një hapi të hedhur mirë dhe me natyrë sigurie.

Namik Sadiku gjithnjë më ka tërhequr si njeri, si portret. Brenda tij veprojnë mendime të ndryshme, versione të kundërta se si mund të dalë mirë një nismë, duke i matur drejt minuset dhe pluset që kërkojnë hedhja në rrugë të reja kalimi. Sa herë mund të ritakohesh me të, aq herë vë re ndryshime tek ai, jo në pamjen e jashtëme se sa në kumtin që ekspozon vizioni i tij. Ndërtoi resortin tashmë shumë të njohur dhe konkurues “Bleart”. Dy fëmijët i ka si dritën e syrit dhe i përjetoi në kryeveprën e investimit të tij “Bleart”. Këngëtari simpatik i skenave, ndërtoi plot siguri dhe vëmëndje skenën gjigande të biznesit të tij, ku brenda janë kultura dhe vizioni për të nesërmen.

Komunikimi me njerëzit, sjellja aspak avantazhuese ndaj tyre, pasi njeriu nuk matet nga paratë por nga dija dhe arsyeja, mbeti pjesë e vizionit të vizionarit Namik Sadiku. Dhe këtë sapo e ndjeva. Muharrem Gutiç jeton prej vitesh në Itali. Muhamet Lame ka një biznes modest në Durrës. Por që të dy janë 65 vjeçarë, po aq sa Namik Sadiku dhe në kohën e mëparshme kanë qenë shokë pune në Bazën Mekanike të Hekurrudhave në Shkozet. Dhe miqësia e tyre është ruajtur e pastër si kristal. Për nder të dy shokëve, Namiku organizoi një takim special.

Pranë këtyre njerëzve lumturohesh dhe të duket sikur po zbret në moshë. Qeshet me shpirt dhe kujtimet vijnë me mallin dhe bukurinë e rinisë së tyre. Namik Sadiku ata ka patur shokë dhe nëse kohët ndryshuan, miqësia me to mbeti e njëjta. Interesi këtu është i përjashtuar, është i huaj, nuk e njeh kush. Një tjetër mësim ky që vjen nga Namik ynë, që tregon që mbetet i njëjti, por i njëjti edhe në ato që kërkon të ndërtojë.

Nga “Blearti” doli tek një tjetër investim hotelerie në Durrës. Emri i nipit i tij që “vdektë gjyshi i vetë për të” Braisi, tashmë është emri i një hoteli të njohur. Po pse është i kënaqur Namik Sadiku!? Absolutisht në grykësi, se sa në testimin e aftësive dhe cilësive të tij për të bërë më shumë, aq sa mban mëndja dhe fiziku i tij. Kërkon të merret me agrobiznes. Nga asfaltet e Durrësit dhe Golemit, vizion i i tij ngjitet në shkallët e fushave bujqësore. He mor Namik Sadiku! Vendosi të marrë një sipërfaqe toke diku në zonën e ShënVlashit dhe e ka qendisur me gjilpërën e mëndjes së tij të florinjtë.

Shkova sërish për ta parë se ç’bën. E di që herët në mëngjes dhe deri në të ngrysur është në pozicionin e bujkut. Të jep ujë në bisht të lugës, për njohuritë e krijuara në këtë agraren e tij. Pas disa muajsh rishkela. Ndryshime të mëdha. E shikoja me kërshëri. Më çahej shpirti nga kënaqësia. Sa mirë kështu! Çfar mund të bëj një njeri i vetëm, për të krijuar befasi deri në çudi për ne të tjerët! Hej Namik Sadiku, sa i zoti që dole!

Filloi të më tregoj tokat e mbjella me grurë. Diku foragjere. Perime të stinës. Mbarështron lopë për mish dhe qumësht. Viça të tjerë po rriteshin. Impjant modern për ta kthyer ujin e papastër në të pishëm. Ushqim i garantuar për blektorinë. Pata, rosa, pula e shpend të tjerë që na fluturonin mbi krye, jepnin gjallërinë e një jete origjinale që përjetohet kur vjen në fshat. Pemët frutore ishin të ngjallura. Rrënjët e hardhive edhe për pak harbohen.
Sipërfaqet e tokave, ishin shtrirë më tutje nga sa i dija. I kishte marrë me qera fshatarëve fqinj. Punësuar tek ky agrobiznes mjaft fshatarë të zonës. Miqësi e sinqertë edhe me ta. Por së pari vetë në krye të punëve. Ky Namiku i kioskës së parë, ky Namiku i resortit modern “Bleart”, ky Namiku i hotelit komod “Braisi”, ky Namik Sadiku edhe i punëve agrare. E shikoja me vëmëndje dhe ia thashë copë:

Je i mënçur dhe punëtor i madh Namik Sadiku!
Por planet e tij nuk mbarojnë këtu. Agrobiznesi që po ndërton ka të ardhme, ashtu si vetë vizioni i tij. Natë e ditë në punë dhe natë e ditë me kënaqësinë që të jep era e djersës tënde, që është vendosur jo vetëm në rrënjët e bimëve, por edhe në vetë rrënjët e këtij vizionari të kohëve moderne. Natyrisht kërkon të fitoj. Të gjithë kërkojmë të fitojmë, në këtë kohë të përshtatshme për ta bërë këtë gjë. Por sigurisht me rregulla loje. Dhe e kërkon këtë fitim me djersën e pastër, që nuk ka impiant që mund t’ia pasuroj më shumë. Punon dhe punon pa u ndalur.
Nuk mund të bëja indiferentin para këtij realiteti, që m’u çfaq fushave të gjelbëruara, erës joshëse të tokës dhe prodhimeve të saj, ku mbi gjithçka ndjeja erën e djersës së punës së jashtëzakonshme, të këtij punëtori të madh, të këtij vizionari të madh me emrin Namik Sadiku.

Dhe jam i sigurtë, që po të rikthehem nuk e di se kur, do të prek sërish pjesë të vizionit të tij të pandalur. Dhe këtë mrekulli, dhe këtë magji, dhe këtë dukuri që të gëzon deri në emocion nuk mund të rrija pa e bërë edhe pronë tuajën. Le ta ndjeni edhe ju aromën e punës, e lidhur me aromën që del nga vlaga e tokës, duke ndjerë edhe erën e punës së frytshme që vjen nga njeriu me vizion gjithnjë të ndezur, për të dhënë atë mesazh jetësor që gjithçka e mirë arrihet me përpjekje dhe dituri.

Dhe të gjitha këto janë tek njeriu i mirë, njeriu modest dhe punëtori i madh, miku dhe shoku i pandryshuar, vizionari i kohës Namik Sadiku.
Durrës: 13 prill 2022

Në pamje: Namik Sadiku (djathtas) dhe Bujar Qesja.