“Jam krenare me ju! Jam e lumtur që përmes mjeteve dhe mundësive që po ofron, Bashkimi Europian po bën ndryshimin në Shqipëri.”

Kështu u shpreh Raporterja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, gjatë një bisede me studentët e programit “Multimedia dhe TV Digjital” në Universitetin “Aleksandër Moisiu”.

Santos, e shoqëruar nga përfaqësues të Delegacionit të BE-së në Tiranë, u prit në një takim nga Rektorja, Prof. Dr. Kseanela Sotirofski, ku u diskutua mbi ndërkombëtarizimin e universitetit.

Santos dhe ekipi që e shoqëronte u shprehën të lumtur për vizitën në një universitet që është lider në dy projekte të BE-së, si dhe ofruan ndihmë administrative për aplikimet e ardhshme.

Më pas delegacioni zhvilloi një vizitë në Laboratorin e Multimedias, i financuar nga programi Erasmus+, ku biseduan me stafin dhe studentët. Në takim u vu theksi në ndihmën e vyer të BE-së për rritjen e kapaciteteve të stafit, kërkimin shkencor dhe përfitimet që ka patur gjithë komuniteti studentor dhe ai qytetës nga projektet e BE-së.