I njohur si rrethrrotullimi më i çuditshëm në botë, ai më në fund është rregulluar.

Investimi i Fondit Shqiptar të Zhvillimit në rrugën “Miqësia” në Durrës ka ndrequr gabimin e bërë në projektim dhe zbatim në rrethrrotullimin e Shënavlashit.

Dikur burim aksidentesh, për shkak të çudirave alla shqiptare, tani e gjitha kjo rrugë ka një infrastrukturë moderne.

Pas përfundimit të lotit të parë të kësaj rruge nga rrethrrotullimi i Shënavlashit deri tek rrethrrotullimi i Universitetit, punimet po vazhdojnë në gjysmën tjetër të këtij aksi. Mjetet e rënda po punojnë në segmente të veçanta, ndërsa po ndërhyhet në sistemin e kanalizimeve.  

Loti i dytë i rikonstruksionit të kësaj rruge kap vlerën 536 milionë lekë. Punimet kanë nisur në prill të vitit 2022, por nuk dihet se kur do të përfundojnë, pasi në tabelë mungon afati i mbarimit të projektit.

Ky aks i rëndësishëm do të lidhë lagjen e re të Spitallës, ku po ndërtohen rreth 1000 apartamente, me pjesën tjetër të lagjes 15 dhe me qendrën e qytetit.

M.B.