Bashkia e Durrësit ka rikthyer plazhin publik në shëtitoren “Taulantia”.

Në këtë sipërfaqe rëre janë vendosur çadrat si dhe sinjalistika vertikale që i njofton qytetarët  se kjo hapësirë do të jetë publike, pra pa pagesë.

Vitet e kaluara kjo hapësirë publike ishte e preferuar zakonisht nga pensionistët, por edhe komuniteti i zonës.

Javën e kaluar, Këshilli Bashkiak miratoi listën e plazheve publike dhe private, si dhe vendbazimet e mjeteve lundruese, por bashkia ende nuk ka cakktuar një çmim tavan për stacionet e plazhit, duke iu lënë në dorë privatëve, që të luajnë me çmimet, sidomos gjatë fundjavës.

Ndërkohë, përmes një postimi në rrjetet sociale, kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, bëri të ditur se plazhi publik përgjatë Shëtitores “Taulantia” është tashmë i pajisur me çadra dhe shezlongë, me synimin për të garantuar më shumë komoditet, relaks dhe akses për të gjithë pushuesit. Sipas saj, hapësira është sistemuar me kujdes për të ofruar kushte sa më cilësore si për qytetarët ashtu edhe për turistët që zgjedhin Durrësin gjatë sezonit veror.