Ta kisha borxh një shkrim vëllai im Hajgu

-70 vite të një njeriu shumë të thjeshtë dhe tokësor

-Vlerë e kulturës së mirfilltë dhe të avancuar të artit muzikor

-Raportet e tij me njerëzit esencë e sukseseve

-U rrita me të dhe po plakem me të

-Brezi ynë idealist dhe vazhdues të trashigimisë

-Si kemi dorëzuar ende “armët”, pasi jemi në zjarrminë e punës

-Vlerësimi qëndron në frymëzimin dhe vlerat që krijon

Nga BUJAR QESJA

Mjeshtër i Madh

8 maj 2022. Ditë krejt e zakonshme. Pranvera ka nis të dorëzohet, duke ndjerë trokitjen e një vere që nuk e dimë se si do të jetë. Por për Hajg Zaharianin, është më shumë se shumë kjo ditë. Katet e jetës së tij, kanë arritur tek 70-të vitet. Lartësi e konsiderueshme jetësore, por jo e mjaftë drejt epilogut. Por kjo ditë e Hajgut edhe për mua është  e veçantë. Jam shok i hershëm i tij. Dhe shokët e kësaj periudhe, kanë një status të veçantë: janë të lyer me sentimentin dhe mallin e rrallë të pastërtisë dhe sinqeritetit të moshës.

Tani Hajgu, njihet. Është dikushi, pasi punoi dhe punon për të qenë kështu. Por njihem  me të dhe i kemi hedhur duart në qafë njëri tjetrit pa e ditur, se do të bëheshim kështu. Ishim të panjohur, me identitet në krijim. Ishim shumë të njomë dhe një erë sado e lehtë, na lëkundte si fije bari. Në klasën e dytë fillore, me zysh Nikolina Zajmin u njoha me një djalë me emër disi të veçantë nga ne të tjerët. E kishim të vështirë t’i shqiptonim emrin, e veçanërisht mbiemrin unikal Zaharian. Dhe po ta shkruash duhet ta vrojtosh mirë Zacharian. Origjina e tij është armene. Në Durrës ka patur shumë armenë, tregtarë të zot, por edhe njerëz që dhanë kulturë, art komunikimi dhe ishin të zëshëm në gjithçka.

Në “Shkallët e Ermenit” ishte vendosur familja e Agop Zaharianit. Oh çfar zotnie! Një nga djemtë e tij është edhe Hajgu im i fëmijërisë, me të cilin na lidhi një miqësi që mbeti gjithnjë e bardhë, e panjollosur, qoftë edhe ngandonjë cifël e pakujdesisë jetësore. Kaluam filloren së bashku, shtatëvjeçaren së bashku dhe po së bashku edhe gjimnazin. Dhe mbeti në çdo gërmë të alfabetit të biografisë, ai i klasës së dytë fillore: Hajg Zaharian. Nuk takohemi si më parë. Nuk shihemi si më parë. Nuk bisedojmë si më parë. Nuk ia dëgjojmë fryëmarrjen njëri tjetrit si më parë. Puna dhe jeta na kanë dhënë drejtime tw ndryshme. Por gjithherë unë dhe ai, kemi mbetur djemtë e urtë dhe të zellshëm të zysh Nikolinës së klasës së dytë.

Hajgu jam ulur në tryezën e punës, të kësaj tryeze ku kam krijuar me qindra shkrime. Si një rast fatlum kam pritur 70-të vjetorin e ditëlindjes tënde, duke e vendosur në sfondin tërheqës të mallit dhe kujtimeve. Guxoj të të quaj vëlla, sepse kështu ishim dhe kështu mbetëm. Hajgu i imët, i shkurtër paksa, ku fletorja e stërmadhe e pentagrameve muzikore ta konkuronte shtatin. Kishte filluar dashuria e parë për muzikën.

Shkolla jonë e kahershme “Dalip Tabaku” ishte edhe muzikore. Aty jepnin mësim nga Pjetër Dungu, Feim Ibrahimi, Stathi Qehajev, Sul Lakavaja, mësues Jani e shumë të tjerë. Ti Hajgu je produkt i kësaj shkolle. Të kujtohet se e gjithë zona rreth shkollës, ku ne kishim shtëpiat, ngjasonte me një kopësht gjigand ku po mbilleshin fidanët e artit muzikor durrsak dhe atij shqiptar. Aq e fuqishme ishte kjo shkollë në muzikdhënie dhe aq të talentuar ishin nxënësit e saj, sa e konsideroj si mburrje historike e Durrësit.

Tentoj të kujtoj disa emra. Kam bindjen se nuk gaboj kur përmënd Mustafa Turkun, Ramazan Pekun, Pandush Gjezin me të vëllanë, Vaso Papën, Filip Lenën, Pirro Dollanin, Edmond Ziun, Hiqmete Bidulin, e koha është e shkurtër për të rrëmuar në emra të tjerë. Por ti Hajgu shkëlqeje. Kishe një lloj prerje të veçantë. Ishe shumë i zoti në të gjitha lëndët. Kishe një formim që na i kaloje disi. E ndjeja startin e vrullshëm të kësaj zanafille. Jepje shenja që 8 vjeç, po po që 8 vjeç. Ne e preknim këtë. Por kishe edhe disa cilësi, që nuk kushtëzoheshin nga talenti yt.  Ti ishe dhe mbete shok nga më të mirët, shumë modest, me një sjellje nderuese dhe u ktheve në shembullin tonë.

Kujtime pa fund, që ia lëkundin memorien një 71 vjeçari dhe i nxisin fjalformimin e plotë, për portretizimin e një shoku të rrallë. Kultura dhe edukata qytetare dhe muzikore, të qendrojnë saktë në atë forcë karakteri dhe morali që vendose të përshtatesh. Bëre muzike dhe vazhdon të bësh muzikë. Bëre emër dhe vazhdon të bësh emër. Por asnjëherë nuk e dorëzove miqësinë dhe shoqërinë, thjeshtësinë dhe respektin, mirnjohjen dhe xhentilesën, duke e lartësuar sa ska emrin Hajg dhe mbiemrin e veçantë Zaharian.

Bëre krijimtari. Punove, studiove, u lodhe po e thënë këtë. Trajtove gjini të ndryshme muzikore, por pa e harruar këtë të mirin njeri, të mirin shok, të mirin vëlla me emrin dhe mbiemrin Hajg Zaharian. Fati të dha dhe një grua të mënçur dhe një trashigimtar, ku kultura dhe qytetaria jote, i kanë vendosur në kornizën e artë të krenarisë.

Hajgu me 8 maj 2022 mbushe 70 vite. Sa gëzim sjell kjo edhe për shokun tënd, njohja me të cilin ka filluar në vitin 1959 – 63 vite më parë. Shumë kohë, apo jo? Dhe gëzimi im është me përvojë 63 vjeçare. Kur erdhe të më takoje, nxitova të bënim një foto. Sa rehat u ndjeva. Ishin kushte të tjera atë të viteve 50-të, pasi nuk i lamë një kujtim njëri tjetrit. Prandaj edhe nxitova. Një foto tani, një mosharresë për nesër. Një foto në këtë 70-të vjetor, një kujtesë për jubile të tjerë.

Ti je sot një profesor i dëgjuar Hajgu. Ti je sot një muzikant shumë i njohur. Krijimet e t’ua nuk numërohen dot, aq të shumta janë. Nami i emrit tënd i ka kaluar përmasat e vendit dhe je i ndërkombëtarizuar. Ti je sot një familjar tërheqës, po aq si bashkshort dhe baba. Por ti je dhe do të mbetesh mbi të gjitha, shoku im i fëmijërisë. Shoku im i klasës së dytë me zysh Karolinën.

Gëzuar 70-të vjetorin e lindjes vëlla!

Durrës: 8 maj 2022