Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh

Kam vite, që e kam njohur këtë kavajas të thekur. Kur shkoja në Kavajë për detyrimet e mediave sportive kombëtare, takoja grupin simpatik të publiçistëve të këtij qyteti. Natyrisht ato sportivë. Kujtoj të përmallshmin Fejzulla Dollia, që Kavaja kurrsesi nuk duhet ta harrojë, Qemal Cara, Agron Shima, Ibrahim Mullaliu dhe ndër ta edhe Fatmir Eficën. Ishte i kujdesshëm në të folur. I ngarkuar me peshën e emocioneve dhe të fillimeve të këtij zanati, skuqej kur komunikonte me ne, duke mbetur disi i ndrydhur. Fillimet i kanë këto dukuri.

Vitet kalonin dhe ky djalosh i imët, por me një zë që dilte nga thellësia e shpirtit, hodhi hapa përpara, duke iu dëgjuar emri gjithnjë e më shpesh. Aftësia, që doli se ishte më shumë se e tillë, talenti i mbetur ende i paçfaqur po merrte dhenë, filloi të formalizohej portreti i një gazetari me të gjithë treguesit profesionist. Është arsimuar për tjetër gjë. Ushtron sigurisht tjetër gjë. Po këtë gazetarinë e folur dhe të shkruar, e qan.

Fatmir Efica i nisi transmetimet në Kavajën e tij, duke shkrirë tërë energjitë për “Besën” e famshme të futbollit. Pasioni nuk kishte tavan, mbaronte në qiell. Zëri po i burrërohej dhe figuracionin i gjuhës së mikrofonit po përparonte. Emocione sa të duash kishte, por ishin thjesht të kushtëzuara për rritjen e performancës, se sa të mposhtej nga pushteti i frikshëm i mikrofonit. Atë e zotëron dukshëm mirë dhe mund të transmetoj pa u ndalur tërë ditën. Dhe tani është bërë dikushi. Është Fatmir Efica i Kavajës, “prodhim” i këtij qyteti që digjet për futbollin. Por kur “Besa” e tij, e “prishi” besën me sportëdashësit e saj, ky Efica nuk e lëshoi mikrofonin. Radio kishte nevojë për punën e tij, për talentin e tij, për zërin aq të intonuar në mikrofon.

Dhe e dëgjon që nga stadiumet e Tiranës, në të Durrësit, të Rrogozhinës, Shijakut e gjetkë. I njëjti pasion, i njëjti qëndrim, i njëjti zë kumbues dhe i preferuar për t’u dëgjuar. Fatmir Efica është 61 vjeç, e nisi këtë punë në fillim të viteve 80-të, për të shpërthyer në vitet 90-të e tëhu. E fitoi emrin e njohur me meritë, me djersë e punë të jashtëzakonshme. Nuk i ka falur kërkush asgjë. Ai po, jep pa “konçesion” aftësitë e rralla në transmetim, zemrën qëi dridhet herë nga emocionet dhe herë nga kalimi me sukses i përgjegjësive, duke e vendosur me meritë emrin e tij, kundrejt stekave të njohura të transmetimeve sportive.

Fatmir Efica po aq sa flet në radio, shkruan në shtypin sportiv. Po aq sa shkruan në shtypin sportiv, boton libra me histori të vlefshme. Po aq sa boton libra, ushtron deri në perfeksion punën e palodhur, rraskapitëse, tej çdo lloj imagjinate të staticienit. Ka arritur në shifra të rralla, befasuese, duke ia shtuar karatët e respektit vetes. Nga viti 1935 e deri në ditën që publikohet ky material, i jashtëzakonshmi Fatmir Efica ka ruajtur botimet sportive. Kjo njëra anë e mrekullisë. Dhe ana tjetër që të bën ti heqësh kapelën dhe ta trajtosh si madhështor, është mbajtja e statistikave të të gjitha kampionateve kombëtare, të superligës, të kategorisë së parë, të kategorisë së dytë, të kategorisë së tretë, të futbollit të të rinjve dhe nuk e di se çgjëra të tjera ka arkivuar.

Ka punuar edhe Besnik Dizdari këtu. Ka punuar edhe i ndjeri, shoku dhe miku ynë i shtrenjtë Ymer Striniqi. Po puna e Fatmir Eficës është histori më vete, që shpesh quhet edhe unikale. Puna e tij të frymëzon, të bën ta ngresh peshë me fuqinë e respektit dhe të simpatisë dhe të flasësh mbi tonin normal:
Të lumtë Fatmir Efica!

Në këtë shkrim dua t’ia jap të gjitha meritat.

0 kavajas i veçantë! Nuk e teproj po të shprehem se: më lehtë është të numurosh kokrrizat në një dorë me rërë, se sa milionat e milionat e shifrave, që mund të shkojnë edhe në miliarda, që t’i ke hedhur dhe po hedh. Kjo punë meriton të të përulesh dhe të të përkulesh.

Sigurisht je shumë modest. Zanati ynë, nuk është çmuar sa duhet. Puna e jonë gjithashtu. E fola edhe në publikun kavajas me 2 korrik 2022, por po ta përsëris edhe tani në këtë shkrim të bërë enkas për ty:

Me punën e magjishme që po kryen, ti je kthyer jo vetëm në një institucion, por në një nder, që i bën nder Kavajës. I thjeshtë shumë, që me të drejtë u mrekullove që të bënë “Qytetar Nderi”, pasi s’kishe marrë asgjë më parë, veçanërisht nga qyteti yt. Nuk jam nga ata që marr pozicionin e kritikuesit, se të flas me dorë në zemër për konkreten, për atë që shikohet me sy dhe preket me dorë.

Edhe motivacioni mund të korrigjohet, pasi ti i takon shpirtërisht Kavajës si kuadër, intelektual, angazhues kombëtar dhe ndërkombëtar i futbollit të vëndit tënd, nëpërmjet transmetimeve në radio. Ti je shumë, për të menduar gjithnjë se nuk je pak dhe për të zgjeruar sipërfaqen e meritave në përmasa më vlerësuese. Puna kolosale që kryen, na vendos të gjithëve në pozicione nderuese dhe detyruese, për të të dhënë atë që meriton, ndonëse t’i nuk punon për to.

Fatmir Efica, ti e ke ngritur shumë stekën profesionale. Dikur vija në Kavajë për të transmetuar, e tani që zemra ime është me probleme, ti Efica u bëre edhe i Durrësit, duke më gëzuar pa masë.

2 korriku 2022, është ditë e lumtur për ty dhe familjen tënde. Tashmë je “Qytetar Nderi” i Kavajës. Më erdhi mirë të gjithë kolegët e tu, të ardhur nga Puka, Lezha, Librazhdi, Elbasani, Durrësi, Tirana, Shkodra, Vlora etj. të nderuan, të respektuan. Moralisht atë ditë i pate nën hiqmin tënd.

Efica vështro në këto rradhë se çfarë ndodhi atë ditë me ty. Vjen e të nderon i madhi i mikrofonit, i rënduar fizikisht, me një bastun në duar, i shoqëruar nga Roshja e tij 90-të vjeçari Ismet Bellova. Enkas për ty erdhi nga Italia, kolegu yt, miku i jonë Sefer Kikia. Delegacioni shkodran me në krye Gaspër Markun e Agron Isufin, të dhuroi uniformën e “Vllaznisë”. Sekretari i shoqatës së gazetarëve sportive Ervin Baku, të përshëndeti. Superlativa çfaqi edhe emri i njohur i gazetarisë sportive Fatmir Mneri. Të dhuruan medaljon të punuar me argjend. T’u dha mirnjohje nga portali sportiv i Bashkim Tufës dhe Isuf Myrtajt. Të respektoi vlonjati ynë i mirë Moisi Dalipaj, që i dalë nga spitali pas një operacioni fatal për jetën, të foli me atë zë të ngjirur që m’u duk sikur të përshëndeti e gjithë bota.

Ti more atë ditë mirënjohje, e mirënjohje pa fund, nga çdo njeri në atë sallë që m’u duk si “La Skala” e Milanos. Dhe “Qytetar Nderi” tënd atë ditë, e moderoi i mrekullueshmi Defrim Methasani. Folën nga presidenca, nga Komiteti Olimpik Shqiptar, nga Bashkia dhe Këshilli Bashkiak i Kavajës. Andi Lila të dhuroi një kupë. Futbollistët në vite të “Besës” të falën shumë dashuri atë ditë. E gjithë bota m’u duk, sikur lëvizi për ty atë ditë Fatmir Efica. Ti rilinde, u gëzove shumë, u nderove shumë, more shumë moral, t’u dha shumë dashuri dhe respekt dhe të gjitha këto ti i meriton.

Fole pak, por fole atë që duhet: Faleminderit! Mirënjohje. Nuk kishe se çfar të shprehje tjetër. Shpirti yt i mbushur me aq ndere dhe vlerësime, i kishte të mjafta ato dy fjalë.

Edhe pas kësaj, t’i do të vazhdosh të punosh si më parë. Nuk e di se çfar ndihme mund të jepet ty nga kavajasit, nga ato që kanë lekë, por edhe nga institucioni i Bashkisë për të zgjeruar hapsirën e banimit. U ndjeva ngushtë, kur në një çast pyeta gruan tënde:
-Si ja bëni për gazetat që ruan Fatmiri?
-Një pjesë janë zverdhur. Të tjerat i kemi shpërndarë tek miqtë, të afërmit, komshijtë. Edhe ai, edhe unë, e dimë që jemi ngushtë. Por nuk mund t’ia ndal pasionin. Përpiqem ta ndihmoj me sa të mundem. Ka një jetë, që e bënë këtë.

Ajo punë që bën ti Fatmir Efica, nuk mund ta bëjnë as dhjetë, a më shumë veta. Por ti vazhdon, e vazhdon në udhën e bukur të ëndërrave të tua, të atij pasioni që s’të la në baltë, por që vjen gjthnjë duke u ndezur edhe më shumë. Në një gjë jam i sigurtë që Fatmir Efica i vitit 2032 do të jetë shumë më ndryshe nga Fatmir Efica i vitit 2022. Për të mos thënë këtë tjetrën, që Fatmir Efica i vitit 2042, do të paraqitet më ndryshe nga Fatmir Efica i vitit 2032.

Dhe ky emër dhe kjo punë, e ka bërë historinë. Ty Kavaja të bëri “Qytetar Nderi”. Por jam i sigurtë në këtë mendimin tim: ti ishe nder dhe tërë kohën pjesë nga ky nder, ia dhe Kavajës tënde të zemrës dhe të shpirtit. “Besa” dhe stadiumi i saj janë për t’u harruar. Por Kavaja është në superligë, madje shumë, shumë e njohur. Është zëri yt Efica që ka për ta lënë gjithë kohën Kavajën në superligë. Është superliga morale, që ia dhe t’i me punën tënde, me jetën tënde.

Faleminderit Fatmir Efica, që na bëre pjesë të nderit tënd, në këtë ditë të “Qytetar Nderi” i Kavajës!

Durrës: 5 korrik 2022