Nga Elitjona Doko

Raporti i performancës për vitin 2025 dëshmon rritje të numrit të mjeteve zjarrfikëse në bashkinë Shijak. Megjithatë, përballimi i zjarreve me afrimin e temperaturave të larta kërkon fonde, personel shtesë dhe vëmendje të mëtejshme për të përballuar rreziqet në rritje.

Në prag të sezonit veror, kur temperaturat e larta dhe zjarret në sipërfaqe të hapura shtojnë riskun për emergjencat civile, vëmendja ndaj kapaciteteve të shërbimit zjarrfikës mbetet një nga sfidat kryesore për pushtetin vendor dhe institucionet qendrore. Vetëm gjatë verës së kaluar, disa qarqe të vendit u përballën me dhjetëra vatra zjarri në zona urbane, pyjore dhe bujqësore, duke nxjerrë në pah problematikat e mungesës së personelit, logjistikës dhe infrastrukturës parandaluese.

Një prej bashkive që reflekton këto rreziqe në rritje dhe nevoja për shërbimin zjarrfikës është edhe Bashkia Shijak. Analiza e Faktoje.al mbi kapacitetet reale të repartit zjarrfikës përmes të dhënave të Raportit të performancës 2025, përgjigjes zyrtare të bashkisë, verifikimit në terren dhe dëshmive të ekspertëve, tregon se shtimi i mjeteve nuk përkthehet automatikisht në rritje të plotë të eficiencës operacionale.

Në Raportin e Performancës 2025, Bashkia Shijak thekson se shërbimi zjarrfikës është përmirësuar gjatë viteve 2023-2024 falë rritjes së automjeteve funksionale nga 3 në 4, duke argumentuar se kjo ka sjellë një rritje prej 30% të kapaciteteve në raport me numrin e banorëve.

I njëjti raport evidenton se kapacitetet mbeten të kufizuara në staf, ndërsa numri aktual i efektivëve mbulon nevojat vetëm mbi bazën e popullsisë së Censusit dhe jo të të dhënave të Gjendjes Civile, çka ngre pikëpyetje mbi nivelin real të përmirësimit të këtij shërbimi.

Referuar standardit të raportit kombëtar, që parashikon 1 zjarrfikës për çdo 1,500 banorë, Bashkia Shijak rezulton mbi normën edhe sipas Censusit 2021, me rreth 1 efektiv për 1,638 banorë. Ndërsa sipas të dhënave të Gjendjes Civile, raporti shkon në 1 zjarrfikës për afro 2,858 banorë, duke e bërë ndjeshëm më të lartë ngarkesën operacionale të repartit.

Diferenca mes të dhënave të Censusit dhe regjistrit të Gjendjes Civile ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si planifikohen kapacitetet operacionale të repartit. Në praktikë, kjo do të thotë se numri aktual i efektivëve mund të rezultojë i mjaftueshëm në letër, por jo domosdoshmërisht në raport me ngarkesën reale të territorit dhe popullsisë që merr shërbim.

Në përgjigjen zyrtare për Faktoje.al, Bashkia Shijak bën të ditur se aktualisht shërbimi zjarrfikës funksionon me 17 punonjës, nga të cilët 16 efektivë bazë dhe një shef sektori. Sipas bashkisë, stacioni disponon katër automjete, por vetëm tre prej tyre janë operative, ndërsa njëri përdoret si autobot për furnizim me ujë gjatë zjarreve me përmasa më të mëdha.

Historia njerëzore

Avni Xhafa, një prej personave që ka qenë pjesë e krijimit të repartit zjarrfikës në Shijak, e kujton fillimin e këtij shërbimi si një strukturë të ngritur me kapacitete minimale, por me nevoja të mëdha për mbulim territorial. Sipas tij, njësia zjarrfikëse u krijua në vitin 2016, në zbatim të ligjit “Për mbrojtjen nga zjarri dhe shpëtimin e jetës”, ndërsa aktiviteti operacional nisi në qershor të vitit 2017.

Në fazën e parë, reparti u kompletua me dy mjete, një automjet operacional zjarrfikës dhe një mjet shërbimi, si edhe me një efektiv prej 12 zjarrfikësish të rinj, të moshës 22-28 vjeç, që përbënin bërthamën e parë të stacionit. Ky repart mbulonte të gjithë territorin e Bashkisë Shijak, nga Rubjeka në veri deri në fshatin Hardhishtë në jug.

“Gjatë punës dolën menjëherë në pah problematikat infrastrukturore, sidomos mungesa e rrjetit të hidranteve. Për këtë arsye u sigurua një autobot dhe më pas u ngritën hidrante shtesë, për të garantuar vazhdimësinë gjatë operacioneve të shuarjes së zjarreve,” tregon Xhafa.

Sipas tij, me shtimin e mjeteve u bë e domosdoshme edhe rritja e personelit, pasi çdo automjet kërkon efektivë dhe drejtues të trajnuar për operacione emergjente.

Në vitin 2020, flotës iu shtua edhe një mjet tjetër zjarrfikës, i dhuruar nga familja e ish-zjarrfikësit Arbër Aliu, ndërsa sipas Bashkisë Shijak, aktualisht stacioni disponon katër automjete, nga të cilat tre janë operative.

Megjithatë, ai thekson se sfidat kryesore mbeten ende tek struktura organizative dhe burimet njerëzore.

“Shërbimi zjarrfikës duhet të jetë një strukturë operacionale e zhdërvjellët. Reagimi i shpejtë nuk realizohet me procedura të ngadalta apo me mungesë personeli. Çdo shtim mjeti kërkon edhe shtim të efektivëve,” shprehet ai.

Sipas tij, kapaciteti operacional nuk matet vetëm me numrin e mjeteve, por me aftësinë reale të repartit për të reaguar në kohë dhe për të mbuluar disa emergjenca njëkohësisht.

Xhafa ngre gjithashtu shqetësimin për mungesën e formalizimit të trajnimeve profesionale, të cilat sipas tij shpesh realizohen vetëm për efekt grade dhe jo për rritje reale të kapaciteteve operative të efektivëve.

Kjo dëshmi sjell një panoramë nga brenda e funksionimit të repartit zjarrfikës në Shijak dhe evidenton hendekun mes investimeve në mjete dhe nevojës për forcim të strukturës njerëzore dhe profesionale të shërbimit.

Situata aktuale

Ndërkohë, drejtuesit aktualë të repartit zjarrfikës në Shijak pranojnë se ngarkesa operacionale mbetet e lartë gjatë gjithë vitit, veçanërisht në sezonin veror.

“Përgjatë një viti, mesatarisht regjistrohen rreth 250-300 vatra zjarri në të gjithë territorin e Bashkisë Shijak,” bën të ditur shefi i Stacionit Zjarrfikës në Bashkinë Shijak, Sajmir Çeka.

Të dhënat zyrtare të Bashkisë Shijak tregojnë se gjatë vitit 2023 janë regjistruar 210 raste zjarri dhe rreth 90 ndërhyrje të tjera për shpëtim dhe asistencë, ndërsa në vitin 2024 janë raportuar 222 raste zjarri dhe 82 ndërhyrje të tjera operative.

Gjatë verifikimit në terren të realizuar nga Faktoje.al, Çeka pohon se sfidat për këtë repart mbeten evidente, sidomos gjatë tre muajve të verës, kur temperaturat e larta dhe zjarret në sipërfaqe të hapura rrisin ndjeshëm ngarkesën e shërbimit.

Sipas tij, shtimi i mjeteve ka ndihmuar në përmirësimin e reagimit operacional, por nevojat për më shumë personel, trajnim dhe mbështetje logjistike mbeten ende të pranishme për të garantuar një mbulim më efikas të të gjithë territorit të bashkisë.

Sipas bashkisë, koha mesatare e daljes së mjeteve nga stacioni është rreth 60 sekonda, ndërsa mbërritja në zonat urbane realizohet mesatarisht brenda 7 minutash. Megjithatë, vetë institucioni pranon se ka zona ku mbulimi mbetet më i vështirë, kryesisht në territore kodrinore si Sheteli dhe një pjesë e fshatit Kënetë.

Analiza krahasimore dhe kostoja reale e përmirësimit të shërbimit

Referuar raportit kombëtar të performancës së bashkive për vitin 2024, mesatarja kombëtare rezulton në 0.86 zjarrfikës për çdo 1,500 banorë, nivel i konsideruar pranë standardit mesatar të vendeve të Bashkimit Europian. Në rastin e Bashkisë Shijak, ky standard rezulton i arritur vetëm nëse merret për bazë popullsia e Censusit 2021, ndërsa me të dhënat e Gjendjes Civile, raporti bie ndjeshëm dhe ngarkesa operacionale për çdo efektiv rritet.

Kjo diferencë tregon se problematika nuk lidhet vetëm me numrin formal të efektivëve, por me mënyrën sesi llogariten nevojat reale të shërbimit. Në praktikë, një repart që mbulon një popullsi më të lartë se ajo e reflektuar në Census përballet me më shumë emergjenca, më shumë territor për mbulim dhe kohë më të gjatë reagimi.

Nga ana tjetër, investimi vetëm në automjete nuk garanton automatikisht rritje të eficiencës operacionale. Sipas ekspertëve të emergjencave, çdo automjet shtesë kërkon staf të trajnuar, drejtues mjeti, pajisje mbrojtëse personale, kosto mirëmbajtjeje dhe karburanti.

Nëse një efektiv zjarrfikës ka një kosto mesatare mujore page dhe siguracionesh prej rreth 90-120 mijë lekësh bruto, shtimi i vetëm 4-5 efektivëve do të sillte një barrë shtesë prej afro 5-7 milionë lekësh në vit për buxhetin vendor, pa përfshirë trajnimet dhe pajisjet individuale. Në këto kushte, rritja e numrit të efektivëve është një kosto e lartë për buxhetin e bashkisë.

Referuar të dhënave të Bashkisë Shijak, buxheti për shërbimin zjarrfikës ka qenë rreth 20.3 milionë lekë në vitin 2023 dhe 26.7 milionë lekë në vitin 2024, çka tregon një rritje të financimit për këtë sektor gjatë dy viteve të fundit.

Ekspertët: “Fokus tek parandalimi dhe infrastruktura”

Eksperti i zjarreve, Fatmir Tarja, vendos theksin jo vetëm tek mbështetja financiare e shërbimit, por edhe investime paralele në infrastrukturë parandaluese, logjistikë dhe organizim operacional të shërbimit.

“Më e rëndësishme është parandalimi i zjarrit. Çdo institucion, në përputhje me nenin 38 të ligjit nr.152/2015, ka detyrime konkrete për marrjen e masave parandaluese,” shprehet Tarja.

Sipas tij, në bashki si Shijaku, ku ka sipërfaqe kodrinore, zona me shkurre dhe sipërfaqe bujqësore, repartet zjarrfikëse duhet të pajisen me logjistikë specifike për ndërhyrje në terrene të vështira.

Ai sugjeron pajisjen e efektivëve me çanta shpine për shuarjen e zjarreve, përdorimin e dronëve për identifikimin e vatrave aktive dhe shtimin e rrjetit të hidranteve në njësitë administrative.

“Në shumë raste, një zjarr mund të shkaktohet edhe nga pakujdesia, si hedhja e një cigareje në zonat me bimësi të thatë. Përdorimi i dronëve do të ndihmonte në identifikimin e shpejtë të vatrës së zjarrit dhe koordinimin më efikas të ndërhyrjes,” argumenton ai.

Tarja thekson gjithashtu se mungesa e hidranteve në disa zona sjell vonesa në furnizimin me ujë të mjeteve zjarrfikëse dhe ndikon drejtpërdrejt në kohën e reagimit.

Një tjetër problematikë që ai evidenton është mungesa e strukturave vullnetare në mbështetje të repartit zjarrfikës, kryesisht për shkak të emigrimit dhe largimit të popullsisë nga zonat periferike.

“Po të ekzistonte një strukturë vullnetarësh në bashkëpunim me shërbimin zjarrfikës, do të ishte më i mundur parandalimi dhe kontrolli i shpejtë i zjarreve,” thotë eksperti.

Ai sjell si shembull zonat periferike të Shijakut, ku gjatë sezoneve verore janë regjistruar raste të shumta zjarresh që kanë shkaktuar djegien e qindra hektarëve tokë dhe bimësi për shkak të vështirësive në ndërhyrje dhe distancës nga vatrat aktive.

Sipas Tares, rritja e numrit të zjarrfikësve duhet të shoqërohet paralelisht me forcimin e logjistikës, masave parandaluese dhe organizimit operacional të repartit.

“Në stacionin e Shijakut ka nevojë për më shumë burime njerëzore edhe për shkak të zbatimit të Kodit të Punës, pushimeve dhe mbulimit të shërbimit me turne,” shprehet ai.

Eksperti ndalet edhe tek problematikat urbane, duke theksuar se ndërtimet duhet të projektohen duke marrë në konsideratë aksesin e mjeteve zjarrfikëse.

“Mungesa e hapësirave për afrim të mjeteve pranë objekteve shkakton vonesa si në shtrirjen e tubave, ashtu edhe në ndërhyrjen për fikjen e zjarrit,” argumenton Tarja.

Sipas tij, një nga ndryshimet më të rëndësishme që duhet të ndodhë në organizimin e shërbimit zjarrfikës është forcimi i koordinimit dhe mbështetjes financiare për bashkitë që kanë kapacitete më të kufizuara ekonomike.

“Bashkitë e vogla nuk kanë fuqi ekonomike për të menaxhuar në mënyrë efikase këtë shërbim. Nëse shohim buxhetin e Bashkisë Shijak dhe e krahasojmë me bashki më të mëdha si Durrësi, bëhet e qartë se është e vështirë të realizohen objektiva për rritje reale të kapaciteteve operacionale,” përfundon ai.

Përfundimi

Verifikimi i Faktoje.al tregon se gjatë viteve të fundit Bashkia Shijak ka ndërmarrë hapa për forcimin e shërbimit zjarrfikës, kryesisht përmes shtimit të mjeteve dhe rritjes së financimit për këtë sektor. Megjithatë, analiza e të dhënave, verifikimi në terren dhe dëshmitë e ekspertëve tregojnë se përmirësimi i kapaciteteve operative nuk matet vetëm me numrin e mjeteve në dispozicion. Reparti vijon të funksionojë me 17 efektivë, ndërkohë që ngarkesa operative mbetet e lartë, sidomos gjatë sezonit veror, kur regjistrohen qindra raste zjarresh dhe ndërhyrjesh emergjente në territorin e bashkisë. Vetë Bashkia Shijak pranon se ka zona ku mbulimi i shërbimit mbetet i vështirë, kryesisht në territore kodrinore dhe zona periferike, ndërsa ekspertët theksojnë se rritja e numrit të mjeteve duhet të shoqërohet paralelisht me më shumë personel, investime në infrastrukturë parandaluese, rrjet hidrantesh, logjistikë dhe trajnim profesional të efektivëve. Në këto kushte, shtimi i flotës zjarrfikëse përbën një përmirësim të pjesshëm të kapaciteteve të shërbimit, por jo një zgjidhje të plotë të problematikave që lidhen me reagimin operacional, mbulimin territorial dhe parandalimin e zjarreve. /Faktoje.al