Prej disa ditësh, Durrësi është prekur nga i nxehti afrikan, i cili ka bërë që termometri të shënojë temperatura rekord për muajin qershor.

Megjithëse jemi në muajin e parë të stinës së verës, temperaturat që në mesditë arrijnë vlerat deri 36-37 gradë Celcius të kujtojnë korrikun dhe gushtin.

Rritja e ndjeshme e temperaturave shkakton probleme të ndryshme shëndetësore tek të gjitha grupmoshat, por më të ekspozuarit mbeten fëmijët e porsalindur, mosha e tretë dhe të sëmurët kronikë.

Por cilat janë simptomat që më së shumti shfaqen tek pacientët, që kanë nevojë për ndihmën e bluzave të bardha në qendrat shëndetësore verore apo urgjencën e Spitalit Rajonal Durrës.

“Simptomat më kryesore janë temperatura e lartë, të vjellat dhe dierre, të cilat ne i kemi të vazhdueshme. Ka dhe pacientë që mund të kenë probleme nga ndonjë virozë, që qarkullon gjatë periudhës së verës, apo ndonjë gjendje gripale apo e ftohur”,– thotë për “DurrësLajm” mjekja e përgjithshme Majda Kryeziu.

Komplikacionet shëndetësore prej të nxehtit mund të krijojnë shqetësime të ndryshme tek qytetarët, sidomos ata që ekspozohen në ambiente të hapura në oraret e pikut të temperaturave. Për këtë arsye, këshillat e mjekëve duhet të zbatohen rigorozisht, me qëllim parandalimin e situatave të komplikuara për shëndetin.

“I nxehti i tepërt nuk i bën mirë askujt. Edhe fëmijët e vegjël apo ata deri në moshën 18 vjeç, por edhe të rriturit janë të gjithë të prekur. Pacientëve që vuajnë nga sëmundjet kronike dhe moshës së tretë i këshillohet të evitohen oraret e zgjatura të qëndrimit në diell. U këshillohet të mos dalin gjatë orës 12.00 – 15.00, kur është piku i të nxehtit. Ata nuk duhet të rrezikojnë dehidrimin, hipertensionin apo episode edhe më të rënda si psh marrje mendsh apo kur ndihen shumë të rënduar fizikisht”,– thotë mjekja Kryeziu.

Temperaturat e larta shtojnë rrezikun për helmime nga konsumimi i produkteve të ndryshme ushqimore, prandaj nevojitet kujdes i shtuar në këtë drejtim.

Nëse nuk mund ta evitoni qëndrimin në diell në oraret e pikut, merrni masa për ta përballuar sa më lehtë të nxehtin duke përdorur kapele apo çadra, duke veshur rroba me ngjyra të çelëta si dhe duke mos e ndarë shishen e ujit nga dora.

M.B.