Gra, nëna, vajza nga i gjithë vendi kanë protestuar sot para Kryeministrisë kundër dhunës  ndaj grave dhe mbrojtjes së të drejtave të tyre. E organizuar nga Lidhja Demokrate e Gruas, protesta dënoi ashpër dhunën e rëndë verbale që kryeministri dhe anëtarë të mazhorancës ushtruan gjatë seancës parlamentare ndaj deputeteve Albina Deda dhe Arbjola Halimi, të cilat u dënuan nga mazhoranca me përjashtim disaditor nga jeta parlamentare.

Gjatë fjalës së tyre deputetet Albina Deda dhe Arbjola Halimi theksuan se demokracia dhe parlamenti janë të kapur edhe kur kryeministri cënon rëndë gratë deputete të opozitës.

Kryetarja e LDG, Albana Vokshi, tha se bota e grave nuk mund të jetë kurrë bota e Ramës, arrogante me komplekset, inatin, zemërimin, urrejtjen ndaj çdokujt. "Sjellja  dhe fjalët e kryeministrit janë të pafalshme, të patolerueshme e të papranueshme. Shpërfillja, tallja dhe dhuna verbale që ai ushtron në mënyrë sistematike ndaj grave përcjell dhe prodhon dhunë tek të tjerët. Sa më tepër Edi Rama fshihet pas fjalëve e veprimeve, aq më shumë vërteton të kundërtën e asaj që pretendon sepse ai s’mund te jetë feminist, aq më pak socialist," – u shpreh zonja Vokshi.