Tregtarët e fruta-perimeve në Durrës kanë protestuar sërish këtë të hënë për vendimin e bashkisë që ata të ushtrojnë aktivitetin e tyre në lagjen nr.18, e njohur si “Fusha e rërës”, pasi ambienti i tregut Agrobujqësor do t’i nënshtrohet rikonstruksionit.

Ndërsa përsërisin se nuk janë kundër rregullimit të markatës, tregtarët shprehen se në zonën e përcaktuar për të tregtuar produktet e tyre nuk ka asnjë lloj kushti higjeno-sanitar, as tenda dhe banakë.

“Më mirë le të thonë që rrini një muaj, dy muaj në shtëpi, sesa të dalësh këtu në shesh të madh, pa asnjë lloj kushti. Malli prishet, hidhet komplet. Ne nuk kemi as gjërat më elementare. Për nevojat personale ku do venë gjithë këto njerëz këtu.”, shprehet një tregtare.

Sipas tregtarëve, distanca do të minimizojë blerësit dhe detyrimisht do të rriten çmimet, ndërsa kërkojnë që gjatë periudhës që do të kryhen punimet në treg, të punojnë te stadiumi.

“Të paktën atje te stadiumi pse duhet të vijmë kaq larg. Këtu nuk vjen njeri.”

Nga kjo zonë, tregtarët i janë drejtuar kryebashkiakes Emiriana Sako që të vërë dorën në zemër për ta, ndërsa i rikujtojnë që së shpejti do të vijnë zgjedhjet e tjera.

Më 1 korrik, tregtarët protestuan pranë tregut Agrobujqësor kundër transferimit të këtij të fundit në periferi të qytetit, ndërsa kërkuan që kjo gjë të ndodhë në shtator. Por, në një dalje për mediat, kryebashkiakja Sako hodhi poshtë kërkesën e tyre teksa tha se nuk do të ketë shtyerje të afatit, ndërsa ndër të tjera u shpreh se do të përshpejtoheshin punimet për rikonstruksionin e tregut, nga 4 muaj që parashikon projekti, në tre.

/portali DurresLajm/

Video: