Ashtu siç ishte paralajmëruar, ditën e sotme aksioni për lirimin e hapësirave publike në Durrës u zhvendos te lulishtet te Muzeu i Dëshmorëve.

Hapësirat publike të zëna nga rreth 23 subjekte private do të lirohen, për t’i hapur rrugë rikualifikimit të kësaj zone, për të cilën bashkia Durrës ka një projekt, që do të nisë të zbatohet shumë shpejt.

Drejtori i Policisë Bashkiake, Vasip Çopa, deklaroi se pas aksionit për lirimin e hapësirave publike te lulishtja te stacioni i trenit, inpektorët e IMT Durrës dhe efektivët e Policisë Bashkiake dhe të Shtetit nisën sot ndërhyrjen te 23 subjekte private në këtë zonë.

Sipas Çopës, aksioni po zhvillohet i qetë, pasi bizneset kanë nisur prej ditësh heqjen e tavolinave e karrikeve, strukturave metalike etj.

Ndërhyrja për lirimin e 2 hapësirave publike ka prekur rreth 50 subjekte.

Për qytetarët durrsakë, ndërhyrja e ndërmarrë për lirimin e hapësirave publike të Durrësit është shumë e mirë, por shumë e vonuar në kohë. Ata shpresojnë që këto hapësirave t’u rikthehen qytetarëve.

M.B.