3 vite pas tërmetit, Durrësi ende vijon i vuan pasojat e tij. Në këtë pallat në lagjen nr.12, koha duket sikur nuk ka lëvizur. Gjithçka ka mbetur e ngrirë, ndërsa rreziku potencial që përbëjnë pjesët e muraturës të dëmtuara është i madh.

Qytetarët që kalojnë çdo ditë poshtë tij ndihen të rrezikuar.

Po ndërsa për këtë pallat nuk është i qartë ende fati i tij i mëtejshëm, pak metra më tutje po punohet për riparimin e një godine shumëkatëshe. Riparimet në godinat DS1-DS3 vijojnë ende. Nga 615 godina me këtë shkallë dëmi kanë mbetur disa pallate pa u riparuar.

Problemi më i madh mbeten godinat DS4, të cilat kanë nevojë për riforcim. Në proces janë 55 pallate, por edhe në ato ku riforcimet kanë përfunduar, banorët shprehin pakënaqësi të shumta.

“Shkallët i kanë lënë përgjysëm, dritat tani po i vendosin ngaqë jemi ankuar edhe tek ju. Tubat rrjedhin tek depozitat e ujit, trotuaret i kanë prishur, rrëzohemi ne të moshuarit”,– thotë një banore, e një pallati shumëkatësh tek ish-URT.

Të tjera godina me shkallë dëmi DS4 presin radhën…

“Godina ku banoja është 4 katëshe, me dëme DS4. Presim kur të na vijë rradha ta riparojnë”,– thotë një i moshuar që prej 3 vitesh jeton në shtëpi me qira.

Protestat para bashkisë përgjatë këtij viti nuk kanë qenë të pakta. Më konsistente në kërkesat e tyre kanë qenë rreth 300 familje në lagjen nr.5, fati i pallateve të të cilëve ende nuk dihet, ndërkohë që jo zyrtarisht u është thënë se do të sistemohen në sitin e ri në Spitallë. Atje po ndërtohen 996 apartamente për të pastrehët e tërmetit, ndërkohë që punimet në 15 godinat e para pritet të përfundojnë së shpejti. I gjithë siti me 85 pallate të reja 4 katëshe mund të përfundojë brenda pranverës së vitit 2023, bën të ditur bashkia për “DurrësLajm”.

Vonesat me bonusin e qirasë kanë qenë shqetësim më vete për 2900 familjet që e përfitojnë. Shumë familje kanë 2 muaj pa e marrë atë.

“Herë i paguajnë, herë vonohen”,- thotë një qytetar.

“Kemi dy muaj që se kemi marrë. Në fillim na e jepnin shumë në rregull, tani nga fundi vonohen”,– thotë një tjetër.

Qytetarët durrsakë shprehin rezervat e tyre për ecurinë e procesit të rindërtimit, sepse pavarësisht premtimeve punimet janë me ritme të avashta.

“Nuk duhet të ngelte kështu Durrësi, duhet të ishte bërë më shumë për qytetin. Durrësi është një qytet që shihet nga e gjitha bota, nga shumë turistë”,– thotë një qytetare.

3 vite pas tërmetit, në qytet janë rindërtuar në po të njëjtin vend vetëm 2 pallate. Të tjerë janë në proces e sipër. Gjimnazet kryesore ende nuk kanë nisur të rindërtohen, ndërsa mijëra nxënës zhvillojnë mësimin me 2 turne.

Në përvjetorin e tretë të fatkeqësisë natyrore që i mori jetën 51 viktimave dhe shkaktoi miliona euro dëme, Durrësi vazhdon t’i ketë ende të hapura plagët e tërmetit.

M.B.