​Gëzim Kasemi, 40 vjeç, ish-anëtar i bandës famëkeqe të Altin Dardhës në Berat, është arrestuar nga policia italiane në Milano. Kasemit akuzohet për disa krime të rënda në Berat, ndër to edhe masakrën me katër të vdekur në vitin 1998. Vitet e fundit ai ka jetuar në Itali duke u fshehur pas arratisjes nga Shqipëria. 

Për qytetin e Baratit, ajo çfarë ndodhi më 25 shkurt 1998 njihet si masakra e këtij qyteti. Breshëritë e tre kallashnikovëve janë qëlluar në drejtim të një lokali pranë stadiumit të futbollit të këtij qyteti duke shkaktuar vdekjen e Burhan e Abdurrahman Tomorri, Behar Eskiu e Kastriot Bejko, si dhe plagosjen e Ramadan Eskiu e Vlash Shkurti.

Grupi hetimor arriti të sekuestrojë në vendngjarje plot 198 copë gëzhoja tre pjesë shiriti mitralozi të lehtë, një karrikator automatiku bosh. Plagët e viktimave janë të shumta dhe janë shkaktuar në kokë e në trup.

Si ndodhi masakra

Më dt.25.02.1998, te lokali i shtetasit Vladimir Veliaj, lagjia “30 Vjetori” pranë stadiumit të futbollit të qytetit të Beratit u vranë Burhan e Abdurrahman Tomorri, Behar Eskiu e Kastriot Bejko, si dhe u plagosën Ramadan Eskiu e Vlash Shkurti.

Viktima Burhan Tomorri kishte pasur një konflikt me shtetasin Altin Dardha, për shkak te vrasjes se të atit të Altin Dardhës dhe për pasojë, mes tyre ekzistonte një armiqësi e hapur. Ky i fundit për këtë shkak kishte përgatitur vrasjen e Burhan Tomorrit.

Për arritjen e këtij qëllimi Altin Dardha kishte bashkëpunuar me Gëzim Kasemin si dhe me Altin Isufin dhe Agron Bilalin. Gjithashtu, Altin Dardha së bashku me tre të tjerët kishin siguruar armët e zjarrit dhe mjetet e tjera te nevojshme si dhe kishin kontrolluar lëvizjet e viktimës dhe përgatitur planin për kryerjen e vrasjes.

Ditën e ngjarjes, më datë 25.02.1998, rreth orës 10.00, pasi ishin informuar për vendndodhjen e viktimës Burhan Tomorri, Altin Dardha së bashku me Gëzim Kasemi, si dhe Altin Isufi dhe Agron Bilali kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe pasi kanë zbritur nga automjeti tip “Ford” me targa TR 7108 A, kanë qëlluar secili me armë zjarri me breshëri në drejtim të viktimës Burhan Tomorri .

I pranishëm në këtë moment nuk ka qënë vetëm viktima Burhan Tomorri, por kanë qenë të pranishëm edhe shtetasit Abdurraman Tomorri, Kastriot Bejko, Behar Eskiu, Ramadan Eskiu dhe Vlash Shkurti.

Shtetasit Burhan Tomorri, Abdurraman Tomorri, Kastriot Bejko dhe Behar Eskiu si rezultat i breshërive të predhave gjetën vdekjen, ndërsa Ramadan Eskiu dhe Vlash Shkurti pësuan dëmtime të shkaktuara me armë zjarri.

Largimi, vdekja e Altin Isufit dhe arrestimi i Gezim Kasemit 

Më pas Gëzim Kasemi së bashku me autorët e tjerë të ngjarjes janë larguar me shpejtësi duke përdorur automjetin  tip “Ford” me targa TR 7108 A. Ata kanë lëvizur në drejtim të lagjes “Uznovë”, në dalje të qytetit të Beratit.

Në udhëtim e sipër në vendin e quajtur te “lokali i fiqve” autorët e ngjarjes kanë lënë automjetin me targa të Tiranës dhe aty Altin Dardha ka marrë automjetin tip “Toyota”  me targa te Beratit të shtetasit Riza Qose, dhe më pas kanë udhetuar në drejtim të fshatit Vodicë.

Në fshatin Vodicë Altin Dardha ka marre nën kërcënimin e armës automjetin e shtetasit Ferdinand Kalemi, të cilin e ka detyruar që të eci në drejtim të luginës se përroit të fshatit Vodicës, në drejtim të fshatit Bogdan. Për shkak të terrenit të vështirë automjeti i drejtuar nga shtetasi Ferdinand Kalemi nuk ka mundur të ecte më tej dhe aty autorët e ngjarjes janë larguar duke vrapuar.

Ndërkohë, menjëherë pas ndodhjes së ngjarjes, ku vendi i ngjarjes është shumë afër vendndodhjes se Drejtorisë së Policisë së Qarkut, punonjësit e policisë janë vënë në ndjekje të autorëve të kësaj ngjarjeje. 

Gjatë ndjekjes së autorëve nga punonjësit e policisë, shtetasi Altin Isufi si rezultat i operacionit të policisë ka gjetur vdekjen, shtetasi Agron Bilali dhe i pandehuri Gëzim Kasëmi janë kapur dhe arrestuar në flagrancë, ndërsa vetë shtetasi Altin Dardha është larguar duke iu shmangur punonjësve te policisë.

Në krah të trupit të shtetasit Altin Isufi është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri automatike më  nr. 4217132.

Në ecje e sipër duke u larguar për në drejtim të fshatit Bogdan shtetasi Altin Dardha ka flakur pantallonat e tij blu xhins, ku ndodhej një Pasaportë me fotografinë e tij, por në emër te Ilia Pando, lëshuar nga Komisariati i Policisë Sarandë.

Altin Dardha vritet në Janine

Altin Dardha u vra tre ditë më pas në Janinë të Greqisë, nga killeri i Kuçovës, Arjan Paja. 

Agron Bilali dhe Gëzim Kasemi u gjenden automatikët që kishin hedhur përgjatë përroit të Vodicës.

Sipas aktit të ekspertimit tekniko-balistik nr.249, dt.03.03.1998 rezulton se 18 nga 198 gëzhojat e gjetuar në vend-ngjarjen,  janë qitur nga arma e zjarrit  e sekuestruar pranë trupit të viktimës Altin Isufi

54 nga 198 gëzhojat e gjetuar në vend-ngjarjen, janë qitur nga arma e zjarrit – automatik e hedhur në nga shtetasi Altin Dardha, pranë një furre gëlqereje, afër fshatit Bogdan, më dt.25.02.1998 në ndjekje e sipër nga policia.

Sipas aktit të ekspertimit tekniko-balistik rezulton se, 42 nga 198 gëzhojat e gjetuar në vend-ngjarjen, janë qitur nga arma e zjarrit – automatik AK, model 56, kalibër 7,62, me nr.8412696 ndërsa, 27 shtatë nga 198 gëzhojat janë qitur nga arma automatike me nr.2000165.

Sipas proces-verbalit të sekuestrimit dt.25.02.1998 këto armë janë hedhur nga shtetasit Agron Bilali dhe Gëzim Kasemi, në ndjekje e sipër nga policia, përgjatë përroit të Vodicës, më dt.25.02.1998.

Akuzat mbi Kasemin

Kasemi akuzohet për “kryerjen e vepres penale të ‘vrasjes me paramendim’ të shtetasit Burhan Tomorri, të ‘vrasjes me dashje’ të kryer ndaj shtetasve Behar Eskiu, Abdurraman Tomorri dhe Kastrit Bejko, të ‘vrasjes me dashje’ të mbetur ne tentative të kryer ndaj shtetasve Vlash Shkurti dhe Ramadan Eskiu, të kryera ne bashkëpunim, si edhe ‘prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”.

Fillimisht Gëzim Kasemi u dënua me 25 vjet burg nga Gjykata e Tiranës më 14 korrik 2009.

Në korrik të vitit 2010 Apeli i Tiranës e prishi këtë vendim dhe e ktheu dosjen për rigjykim.

Në përfundim të rigjykimit ai u dënua me 25 vjet, por për shkak të gjykimit të shkurtuar përfundimisht u vendos 16 vjet e 8 muaj burg.

Gjykata vendosi që vuajtja e dënimit për Kasemin të fillonte nga dita e arrestimit në 25.02.1998, si edhe të llogariteshin ditët e qendrimit në paraburgim nga data 25.02.1998 deri me dt.22.02.1999, si dhe ditët e qëndrimit ne burg, për shkak të ekstradimit nga Italia, duke filluar nga dt.08.01.2007 e në vazhdim.

Në nëntor 2011 ky vendim u la në fuqi nga Apeli i Tiranës. Por këtij vendimi iu bë rekurs nga Prokuroria në Gjykatën e Lartë.

Në vitin 2015, pasi kishte shlyer një pjesë të dënimit, Gjykata e Tiranës e la të lirë me kusht detyrim paraqitjeje pranë komisariatit të policisë.

Që prej atij momenti Gëzim Kasemi ishte larguar nga Shqipëria pa lënë gjurmë duke u shpallur peson në kërkim ndërkombëtar.

Policia italiane mundi ta arrestojë një ditë më parë në Bari. Aktualisht ndodhet në burgun e këtij qyteti në pritje të ekstradimit të tij drejt Shqipërisë.