Pas aksidentit tragjik që ndodhi dy net më parë në Durrës, që përfundoi me vdekjen e dy të miturve, policia ka arrestuar dy drejtuesit e mjeteve që u përfshinë në aksident, të cilët ishin të dy të dehur.
Sot, policia njofton se ka vënë në pranga të riun Xhon Muça, 22 vjeç, dhe shtetasin Sokol K. i cili po qarkullonte me ciklomotorin ku kishte minorenët me vete për të mbledhur kanaçe, që i siguronin mbijetesën.
Policia njofton se: “Specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit Xh. M., 22 vjeç dhe S. K., 47 vjeç, të dy banues Durrës, pasi më datë 08.02.2022, në mbrëmje, në rrugën “Bajram Tusha”, në lagjen nr.14, Durrës, 22-vjeçari, duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur është përplasur me një motomjet që drejtohej në gjendje të dehur nga 47-vjeçari dhe si pasojë ka humbur jetën në vendngjarje shtetasi F. K. dhe u dëmtua rëndë shtetasi D. H., i cili ka humbur jetën më vonë në spital. Gjithashtu, si pasojë e aksidentit kanë mbetur të dëmtuar shtetasit D. Q. dhe M. A., të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Si ndodhi aksidenti tragjik
Danieli dhe Franci, të dy në moshë të mitur, qëndronin në koshin e improvizuar në ciklomotorin që u godit nga automjeti i drejtuar nga 22-vjeçari Xh.M.
Dy fëmijët e mitur kishin dalë me një komshiun e tyre dhe djalin e tij në atë orë të vonë të natës për të mbledhur kanaçe.
Sokoli, që i përket komunitetit rom, kishte improvizuar një kosh para motorit, ku mbartnin plastikat dhe kanaçet që më pas i shisnin për të mbijetuar.
Një kilometër larg nga banesat e tyre, ndërsa do të ktheheshin te kryqëzimi i Gjykatës së Apelit, rreth orës 23:00 të mbrëmjes së shkuar, Sokoli, i cili kishte konsumuar pije alkoolike, është futur me shpejtësi në kryqëzim.
Me shpejtësi në atë krah vinte edhe automjeti i drejtuar nga 23-vjecari.
Nga përplasja e dy mjeteve motorike, koshi është goditur i pari dhe për pasojë dy të miturit kanë marrë dëmtimet më të rënda.





