Dëshmia e Nuredin Dumanit para SPAK lidhur me vrasjen e Elvis dhe Fatmira Dedajt, djalit dhe nënës së tij në Durrës, në vitet 2012 dhe 2013 hodhi shumë dritë mbi ngjarjen dhe autorët e këtyre krimeve.

Dumani akuzoi Festim Qolin dhe Henrik Hoxhën për vrasjen e Elvisit, ndërsa Talo Çelën për vrasjen e 60-vjeçares Fatmira.

Më poshtë po publikojmë dëshmitë e dhëna për gazetaren Klodiana Haxhiaj vëllai i Fatmirës dhe komshia e saj Natasha Meta, në ditët pas vrasjes makabre të 60-vjeçares në garazhin e pallatit, ku ajo banonte.

E ndërsa vëllai, Besniku, nuk dinte për konflikte që mund të kishte me ndokënd motra e tij, komshia e viktimës përmend gjatë intervistës konfliktin që e ndjera kishte me ortakun në biznes të djalit të saj.

Shkrimet e publikuara në GSH në datën 14 shtator 2013

Fatmira Deda Habibi, 60 vjeçe, nëna e Ervis Dedajt të vrarë në atentat, 15 muaj më parë është vrarë nga persona ende të paidentifikuar në garazhin e pallatit ku jetonte e vetme. 60 vjeçarja është gjetur rreth orës 14 e 30, pranë automjetit në pronësi të saj,brenda në garazhin elektronik, në lagjen nr.3, e mbytur në gjak, me një plagë në kokë, nga një banor i pallatit, i cili lajmëroi urgjencën e spitalit, dhe policinë e rendit. Vrasja e kryer në “pabesi” ndaj të moshuarës, ka mbledhur hetuesit më të mirë të Durrësit, dhe inspektorët e krimeve të rënda, të cilët kanë hapur sërish dosjen e djalit të saj 33-vjeçarit Elvis Deda, vrasje që ka mbetur ende e pazbardhur. Policia po punon në disa pista, vrasje me paramendim, vrasje për hakmarrje dhe për shkak konfliktesh të pazgjidhura pas vrasjes së djalit, në drejtim të bizneseve të tij.

Krimi

Krimi ka ndodhur me paramedim të plotë, është mendimi i hetuesve lidhur edhe nga rrethanat e skenës së krimit. Autori e ka pritur ose ndjekur viktimën, derisa t’i drejtohej garazhit ku do të parkonte mjetin. Viktima i ka parë dhe pasi ka hyrë në garazh ka shtypur pultin që qepeni të mbyllej me shpejtësi. Por autori e ka nxjerrë me dhunë nga makina, ndërsa boria e makinës ka mbetur e shtypur dhe garazhi ka qëndruar i hapur 30 centimetra. Duket se këtu ka nisur përleshja. Qepeni i garazhit e ka dëmtuar në një pjesë të trupit 60-vjeçaren, e cila më pas është qëlluar me një mjet të fortë në fyt dhe më pas me thikë është qëlluar edhe në kokë. Si pasojë e goditjes ka gjetur vdekjen 60-vjeçarja, ndërsa boria e makinës ka qënë e shtypur, por nuk ka mundur t’i vijë njeri në ndihmë.

Policia: 10 milionë lekë kush jep informacion për autorin

10 milionë lekë ka vënë si shpërblim policia e Durrësit, për personat që posedojnë dhe japin informacion të vlefshëm për kapjen e autorëve. Në dispozicion është vënë numri i telefonit 0694110…, duke garantuar konfidencialitetin e plotë të telefonuesve.

Ndërkaq policia ka mbledhur dëshmi të shumta, dhe ka shoqëruar në komisariat rreth 30 persona deri në mbrëmje për zbardhjen e krimit. Por inspektorët e krimeve ende nuk dinë të thonë se sa persona kanë marrë pjesë në krim. Për këtë policia po heton në dy pista; vjedhje me pasojë vdekje  dhe vrasje me paramendim. Pista e parë bie poshtë, për shkak se viktimës nuk i është grabitur asgjë, madje me vete ka patur çantën, portofolin dhe celularin e saj.

Hetuesit

Hetuesit menjëherë kanë kërkuar zbardhjen e tabulateve telefonikë të viktimës, si dhe janë duke përdorur metodat speciale të hetimit. Cdo dëshmi e dhënë në polici po verifikohet dhe analizohet, rast pas rasti deri në detajepër të zbardhur krimin e kryer.

Dëshmitë

Vëllai i viktimës Besnik Dede, i cili ka ndjekur hap pas hapi ngjarjen e rëndë i pyetur nga GSH pohoi se motra e tij është  vrarë. “Motra jetonte e vetme që prej vdekjes së nipit vitin e shkuar. Gjithë jetën ka punuar si infermiere dhe mami në maternitet e në spital. Kishte një makinë që e ngiste vetë. Burri i vdiq i ri dhe prej vdekjes së të shoqit nuk u martua. Vajzën e morën dhe e rritën njerëzit e burrit, ndërsa djalin e mbajti dhe e rriti vetë, Elvisin e vranë vjet në qershor. Nuk e dimë pse u vra, ashtu sic nuk e dimë as pse është vrarë motra. Mira, nuk i ka bërë kurrë keq njeriu. Në punë të saj e në hall të saj e vetmuar me dhimbje në zemër pas vdekjes së djalit. Sapo ka dalë në pension, akoma nuk e ka marrë muajin e parë të pensionit. I vetmi gëzim i saj ishte takimi i parë me nipin disa javë më parë. Paska qënë takimi i fundit. Ervisi ka bashkëjetuar në Itali me një shtetase bjelloruse, me të cilën ka një djalë rreth tre vjeç. Djali erdhi në verë së bashku me të jëmën dhe Mira u gëzua shumë. Tani e vranë, shumë e padrejtë jeta. Ne si familje e saj duam të gjenden autorët dhe të vihen para drejtësisë. Të gjenden sepse Mira nuk i bënte keq askujt. Në dijeninë time ajo nuk kishte konflikt me asnjë njeri. Për më tepër që mua si vëlla kurrë nuk më kishte thënë për ndonjë konflikt të mundshëm. Ndoshta s’më ka treguar, ndoshta nuk donte të më bënte merak. Nuk e di. Ashtu si një vit më parë edhe tani na ka rënë barra të kalojmë mortin të gjthë së bashku” deklaroi vëllai i saj në gjendje të rëndua shpirtërore, teksa ekspertët e policisë bënin këqyrjen e vendit të ngjarjes. 

Flet fqinja e të vrarës: Kishte konflikt me ortakun e të birit

Natasha Meta, është shoqe e ngushtë e viktimës, dhe fqinjë në të njëjtin pallat. Natasha tregoi për GSH dhe për inspektorët e policisë  se 60-vjeçarja ka patur konflikt me një prej ortakëve të djalit të saj. 

Natasha mund të na tregosh si e njihje Fatmirën?

Ne jemi shumë shoqe, për çdo gjë flisnim së bashku. Në mëngjes Fatmira vinte dhe e pinte kafen tek unë ose shkoja unë tek ajo. Pas vdekjes së djalit, ishte tronditur shumë dhe nuk gjente rehat. Sot në mëngjes erdhi si zakonisht dhe piu kafen në shtëpinë time. Më tha se do të shkonte të takonte një shokun e djalit, se ai e kishte marrë në telefon për të sqaruar disa gjëra.

Për cfarë bëhej fjalë?

Më tha që ishte shumë e shqetësuar. Se djali i saj kishte patur një pikë karburanti, dhe ortaku i Elvisit i kishte bërë shumë llafe dhe debate. Nuk i jepte paratë që i takonin nga biznesi.

Cfarë bëri sot?

U nis dhe shkoi e takoi. Nuk e di se si u shkoi biseda. Kur është kthyer nga Shkozeti ka ndodhur ngjarja. Unë e dëgjova që ajo i ka rënë borisë së makinës për gati 15 minuta, por mendova që ka difekt qepeni. Qepeni i garazhit është elektronik, hapet me pult, dhe mendova që është bllokuar garazhi, e nuk dola në dritare të shihja ç’bëhej. Kur ajo i binte borisë unë dilja përherë në ballkon dhe e përshëndesja sa vinte. Sot mendova është prishur qepeni.

Po me parë ju ka treguar për konflikte?

Po që para një muaj e gjysëm.

Kur erdhi nga Shkozeti, dridhej e gjitha. Atje tek karburanti që kishte djali i saj ortak me një tjetër, e kishin kërcënuar shumë. Ishte zverdhur e ishte bërë dyllë. Më tha që më ofenduan e më kërcënuan në sy të të gjithë punëtorëve të karburantit. Nuk e di pse e kanë varë, por duhet që policia t’i gjejë urgjent vrasësit e t’i vërë para drejtësisë, se ajo vdiq me plagë në zemër.

A keni parë njeri të dyshimtë në lagjje?

Nuk mund të them. Kjo është lagje e madhe, këtu ka shumë lëvizje.

Natasha Meta komshija e Fatmira Dedej të vrarë brutalisht në garazhin e saj mesditën e 14 Shtatorit, ndjehet e kërcënuar dhe e shantazhuar nga persona që mund të jenë të lidhur me vrasjen. Natasha  ishte shoqe dhe komshije në pallat e viktimës. Ajo thotë se nuk di asgjë se për cfarë është vrarë 60-vjeçarja, e cila herë pas here e ndihmonte ekonomikisht.

Natasha pse ndjeheni e kërcënuar?

Ndjehem se dy a tre ditë pasi u vra Fatmira, një person i panjohur më ka kërcënuar tek shkallët e pallatit. Unë nuk e di kush ishte, por unë isha duke u ngjitur, ndërsa ai duke zbritur. Foli në dialektin verior, e më tha “Tërhiqi mbrapsht ato që ke thënë, përgënjeshtroi!”. pata drikë që ta denoncoja rastin edhe në polici, se unë nuk dua të përfshihem fare në këto punë.

Po e frikësuar pse?

Po që prej vrasjes e gjithë lagjja është e frikësuar. Gratë e pallatit shkojnë të blejnë bukë dhe e bëjnë rrugën me vrap. Unë jam e frikësuar për vete se ja c’ndodhi në garazh.

Ti e ke njohur Fatmirën?

Fatmira e kishte shtëpinë në kat të katërt, ndërsa unë në kat të dytë. Ngaqë jam shumë fukareshë, më ndihmonte. Dilnim të dyja blenim ushqime, më jepte edhe mua, çdo gjë që blente e ndante me mua. Bënte gjellë në shtëpi më sillte edhe mua një pjatë. Se unë pa punë jam e burrin pa punë e kam. Ajo ishte shumë xhymerte. Blente për vete të saj blente edhe për ne.  

Ju kishte thënë për konfliktet që kishte?

Jo nuk më hapte biseda të kësaj natyre. Ditën që e vranë erdhi tek unë në mëngjes,e më tha që do ikte në Shkozet tek karburanti. Nuk më takoi po më tha që do kthehej shpejt se e thirra t’i bëja një kafe.

Ju ka thirrur policia keni dëshmuar?   

Po i kam thënë ato që dija se ka qënë e mbetet grua zonjë. Unë nuk e di as kush dhe pse e kanë vrarë. Policia ti gjejë e t’i vërë para drejtësisë autorët.