Vetëm një në 10 kërkesa për informacion mund të kërkojë më shumë se një ditë kohë për kthimin e përgjigjes. Deklarata vjen nga Besnik Dervishi, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, i cili deklaroi për “DurrësLajm” se problematikat janë të shumta, madje nuk mungojnë dhe rastet kur institucionet refuzojnë të japin infomacion.

“Vërtet ligji ka përcaktuar një afat 10 ditë pune, por ka kërkesa të cilat mund të vihen në dispozicion të qytetarit menjëherë, nuk kanë nevojë as për një ditë pune, apo 2-3 maksimumi. Ka dhe kërkesa të komplikuara, të cilat mund të kërkojnë edhe më shumë se 10 ditë pune. Por sipas statistikave tona, në 10 kërkesa vetëm njëra mund të ketë nevojë për ditë të tëra pune, sepse janë kërkesa komplekse për t’u vënë në dispozicion të qytetarëve. Ka ende shumë punë për të bërë nga komisioneri, sepse kemi dhe raste të veçanta kur institucionet refuzojnë të japin informacion. Ka mjaft rezerva nga autoritetet publike për të përparuar në të Drejtën për Informim””,- tha Dervishi.

Me ndërhyrjen e Komisionerit për të Drejtën e Informimit, institucionet shtetërore vihen në lëvizje dhe referuar statistikave, kjo ndodh në rreth 70% të rasteve.

Ne na ndodh që rreth 70% e ankesave që vijnë tek ne për mos dhënie të përgjigjes nga autoritetet publike realizohen, pasi ka filluar procedura e hetimit administrativ nga Zyra e Komisionerit”,- deklaroi Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Në takimin e organizuar në bashkinë Durrës, në kuadër të aktivitetit “Dita e Transparencës”, ku ishin të pranishëm autoritetet më të larta vendore dhe koordinatorët e informimit theksi u vu në rëndësinë që duhet t’i kushtojnë institucionet shtetërore dhënies sa më të shpejtë të informacionit për qytetarët e interesuar.

M.B.