“Durrësi është kthyer tashmë në një nga projektet madhore jo vetëm të ministrisë, por edhe qeverisë shqiptare. Është një nga vendet kantier më i madh në restaurim në territor”.

Kështu deklaroi ministrja e kulturës Elva Margariti gjatë takimit të zhvilluar në Muzeun Arkeologjik Durrës për të përuruar nisjen e punimeve për restaurimin e këtij të fundit dhe hapjen e thirrjeve të projektit EU4Culture për grante për trashëgiminë kulturore.

Ndërsa përmendi faktin se një ditë më parë u prezantua në ministri nga arkitekti i njohur ndërkombëtar Stefano Boeri një projektide mbi restaurimin dhe rijetësimin e disa prej monumenteve më të rëndësishme në Durrës, me të cilëve edhe amfiteatri, Margariti theksoi faktin se nuk nuk po dhurohet asnjë pjesë e identitetit tonë kombëtar përmes PPP-ve apo koncesioneve.

“Jemi bërë bashkë shumë aktorë për Durrësin. Nëse kemi kaq shumë aktorë protagonistë, donatorë, partnerë që besojnë në këtë projekt, që nuk është vetëm i Ministrisë së Kulturës, patjetër do të thotë që këtu ka vend për çdokënd. Ka vend për njerëz që duan ta përqafojnë ndryshimin, që nuk ndalen tek debatet, tek thashethemnajat. Nuk jemi duke bërë asnjë koncesion, asnjë PPP, nuk jemi duke i falur askujt asgjë nga identiteti ynë kombëtar, jemi duke marrë eksperiencat më të mira”,- tha Margariti.

Përfaqësues të Delegacionit Evropian në Shqipëri hapën sot thirrjen e dytë për propozimet e organizatave jo fitimprurëse që duan të aplikojnë për grantet e BE, për financimin e projekteve që mbështesin komunitetet që jetojnë në zonat përreth objekteve të trashëgimisë kulturore të prekura nga tërmeti i nentorit 2019.

Ndërkohë, Pamela Lama, menaxherja e UNOPS-it për vvendin tonë prezantoi para të pranishmëve sesi do të duket muzeu arkeologjik pas përfundimit të restaurimit të tij.

Qëllimi i projektit që do të kushtojë 2.7 milion euro dhe do të zgjasë 11 muaj është shndërrimi i muzeut në një qendër moderne arsimore dhe të teknologjisë së lartë.

M.B.