Të hënën nis viti i ri akademik në mbarë vendin.

Pas mbylljes edhe të raundit të dytë të regjistrimeve, universiteti i Durrësit po përgatitet për të nisur javën e parë të orientimit të studentëve drejt degëve dhe programeve përkatëse.

Në total rreth 1700 studentë do t’i bashkohen auditorëve të UAMD-së në sistemin “Bachelor” dhe programet profesionale 2-vjeçare, me përafërsisht 1300 regjistrime në raundin e parë dhe 400 në të dytin.

Për këtë vit më të preferuarat mbeten lëndët e shkencave teknike mjekësore: mamija, fizioterapia, infermieristika, si dhe lëndët e shkencave kompjuterike dhe teknologjisë së informacionit.

Rreth 100% të kuotave kanë përmbushur po ashtu lëndët profesionale 2-vjeçare, “Aplikacion Web dhe Dizenjim Grafik”, “Specialist Pajisjesh Elektronike”, “Menaxhim Transporti”, e të tjera programe studimi 2-vjeçare, që janë të orientuara drejt tregut të punës.

Gjithashtu, ka pasur një rritje në regjistrime për programin e navigacionit, një prioritet kombëtar, por edhe prioritet i universitetit të Durrësit, si dhe një rritje me 15% në programet e Fakultetit të Edukimit.

Në ndryshim nga universitetet e tjera, në UAMD asnjë program studimi nuk rrezikon mbylljen, sepse janë plotësuar minimalisht në 80% të kapacitetit dhe kuotave të regjistrimit.

Mirëpo sigurisht ka degë, të cilat duket se tërheqin më pak studentë dhe kjo është reflektuar në rënien e regjistrimeve.

Përmendim këtu degët e drejtësisë dhe shkencave politike, për të cilat në vijim do të pritet dhe një analizë e detajuar nga stafi akademik.

K.Gj.