Aty ku dikur të dukej se shihje një foto të vjetër bardh e zi, sot sheh një kuartall model.

Këtë kupton sapo shkel në zonën pranë “Fushës së rërës”, një territor që tashmë është një kantier i madh ndërtimi.

Prej javësh tashmë aty ka nisur puna për rikualifikimin e pallateve parafabrikate.

Për banorët, ky investim kaq i rëndësishëm shënon fundin e shumë vite pritjeje dhe premtime vetëm në kohë fushate.

“Ishte një befasi. Nuk e kemi pritur kurrë kaq shpejt, se erdhi këtu e na tha ashtu siç na e kanë premtuar përherë, por kryetarja ka bërë vërtet një punë kolosale, sidomos për lagjen tonë”, u shpreh për mikrofonin e “DurrësLajm” një prej banoreve.

Këtu në këtë lagje ka qenë balta deri në gju. U shtruan rrugët, u rregulluan kanalizimet, tani dhe kur bie shi nuk mban fare ujë”, tha një tjetër.

Për një banor, kjo është një lagje krejtësisht e re. Ai thotë se “edhe pallat firme të më thonë tani nuk e ndërroj, aq mirë janë bërë.”

Më përpara na binte suvaja kur kalonim, na vriste. Tani ke qejf me dalë në lulishte. Çfarë e dua Vollgën unë tani, jam mirë këtu. Vollga plus ka vetëm detin, unë këtu kam qetësinë. Ku ke në Durrës kështu hapësire?”, tregoi një tjetër.

Mirëpo këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një rregullim estetik.

Kryebashkiakja Emiriana Sako na tregon se investimi do të sjellë përmirësimin e cilësisë së jetesës, si dhe do t’i japë fund një tjetër problemi të kahershëm.

Ky është vetëm loti i parë, tek i cili ka nisur edhe puna. Do të bëhet veshja e objekteve me polesterol, që do të kryejë edhe efiçencën e energjisë dhe kursimin e saj, aq më tepër në periudhën në të cilën ndodhemi tani. Një element tjetër shumë i rëndësishëm i projektit është edhe zbritja dhe grumbullimi i furnizimit me ujë në katet përdhe, që është po ashtu një kërkesë e banorëve”, deklaroi ndër të tjera Sako për “DurrësLajm”.

Rikualifikimi i fasadave të parafabrikateve sjell kështu rigjenerim urban, rritjen e vlerës së pronës së këtyre banorëve, si dhe zhvillim ekonomik për bizneset e vogla që operojnë në këtë zonë.

K.Gj.