Një memorandum bashkëpunimi u nënshkrua sot mes Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës dhe Dhomës Vendore të Avokatisë.
Nisur nga problematikat e shumta që po kalon biznesi muajt e fundit, të thelluara edhe më shumë për shkak të krizës globale, ky memorandum pritet të forcojë edhe më shumë frymën e bashkëpunimit mes sipërmarrjes privatë dhe ekspertëve ligjorë.
“Memorandumi i bashkëpunimit mes dy dhomave është në kuadrin e bashkëpunimit mes ekspertëve ligjorë dhe atyre të fushës tregtare, në informacionet mbi ndryshimet ligjore dhe asistencën me problemet ligjore që shoqëritë tregtare kanë, orientimi i biznesit për të bashkëpunuar ngushtësisht me avokatët për përfaqësimet ligjore për problemet që ata hasin me kreditë bankare, me debitorët etj”,- tha Lorval Petani, kreu i Dhomës së Avokatisë Durrës.
“Jo qëndrueshmëria dhe ndryshimi i shpeshtë i ligjeve, të cilat e çorientojnë biznesin, tejfryrja e administratës shtetërore nëpërmjet inspektoriateve, të cilat çdo ditë e më shumë godasin biznesin e bëjnë të domosdoshëm dhe të rëndësishëm hartimin e këtij memorandumi bashkëpunimi, me qëllim që të përmirësojmë klimën e biznesit dhe bizneset të jenë sa më të mbrojtura”,- tha Alban Isteri, kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës.
Memorandumi i bashkëpunimit do të konkretizohet në të ardhmen edhe me trajnime të stafeve, konferenca të ndryshme etj.
M.B.





