Në tregjet e sotme, ku njohuritë dhe teknologjitë përhapen me shpejtësi, konkurenca mes bizneseve shtohet ndjeshëm, ndërsa produktet e reja bëhen të vjetra brenda shumë pak kohe.

Për të qenë kreativë dhe të suksesshëm në treg, bizneset duhet të punojnë fort, por nga ana tjetër nuk duhet të anashkalojnë regjistrimin e markave tregtare dhe disenjove industriale në Drejtorinë e Përgjithshme të Pronësisë Industriale.

Në këtë mënyrë, marka dhe disenjo kthehet në aset për kompaninë dhe njëkohësisht i japin të drejtën ekskluzive pronarit të tyre të ndalojnë palët e treta të përdorin markë identike apo të ngjashme me të tijën.

“Biznesi është jashtëzakonisht i interesuar, megjithëse hasin disa vështirësi të vogla proceduriale qoftë nga fakti i kalimit të shërbimeve online, qoftë nga fakti se treçereku i bizneseve nuk njohin procedurën përmes së cilës duhet të kryhet regjistrimi. Prandaj drejtoria jonë përpiqet që jo vetëm përmes workshop-ve, por edhe përmes vizitave sensibilizuese gjatë gjithë vitit pranë bizneseve t’u japë këtyre të fundit gjithë informacionin e nevojshëm për çertifikimin e markave të tyre tregtare. Regjistrimi është hapi i parë parandalues, sepse pa pasur një markë të regjistruar, ne nuk vëmë dot në treg të drejtën tonë të cënuar”,- thotë Eneda Shiroka, përgjegjëse në sektorin e Promovimit dhe Qendrës së Trajnimeve, në DPPI, gjatë workshop-it të mbajtur në Durrës.

Një histori suksesi në këtë fushë, në qytetin bregdetar është biznesmenia Elsa Balteza, administratore e Beba shpk. Pranë DPPI, ajo ka regjistruar plot 56 produkte të biznesit të saj.

“Bashkëpunimi ynë me këtë drejtori për ndërmarrjen tonë ka qenë jashtëzakonisht I mirë. E kemi provuar këtë gjë jo vetëm në regjistrimin e produkteve tona, të cilat janë 56. Pra 56 artikuj të regjistruar, kanë zënë vend në tregun shqiptar dhe po ecin goxha mirë”,- tha sipërmarrësja Balteza.

Pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Pronësisë Industriale janë mbi 17 mijë marka të regjistruara nga kompanitë shqiptare.