Kreu i PD Durrës, Igli Cara ka humbur babain e tij mbrëmjen e sotme.

Përmes një statusi në rrjete sociale, Cara shpreh dhimbjen për ndarjen nga jeta të atij që ai e quan “Kapiteni im”.

“Ndarja nga jeta e Babait tim do të më shenjojë gjatë!
Një humbje për të cilën nuk do të isha asnjëherë gati!”
,- shkruan Cara ndër të tjera.

Cara njofton se babai i tij do të shoqërohet nesër për në banesën e fundit në orën 14.00. Ceremonia mortore do të mbahet tek varrezat e reja të qytetit.

Postimi i plotë:

E trishtë kjo mbrëmje!
U nda nga jeta babai im, Kapiteni im, që herë me këshilla dhe herë me heshtje më mësoi të jetoj, ndershëm, me fisnikëri, me mirënjohje e respekt!
E vështirë kjo lamtumirë! Për Babain tim, Njeriun e paqtë, që kishte një fjalë të mirë për këdo; që ishte aty kur rrëzohesha dhe ringrihesha; që nuk mungoi në asnjë ditë të jetës sime; që ka qarë dhe ka qeshur bashkë me mua; që ka përjetuar çdo brengë apo gëzim timin!
Ndarja nga jeta e Babait tim do të më shenjojë gjatë!
Një humbje për të cilën nuk do të isha asnjëherë gati!
Do të më mungojnë bisedat tona që përfundonin me këshillën tënde, do të më mungojnë përditshmëria, festat familjare! Do t’ i mungosh Mamës, Lolës, të gjithë familjarëve! Do t’i mungosh të gjithëve! Sepse kushdo që të njohu, të bëri mik!
Por, nuk do të mungojë asnjëherë bekimi yt, që më ka shoqëruar çdo ditë të jetës sime!
As në ditët e tua më të vështira nuk e humbe buzëqeshjen, duke ditur të më mësoje edhe me sëmundjen tënde rëndësinë e të qenit Njeri!
Lamtumirë Babë! Lamtumirë i shtrenjti ynë!

(Varrimi: nesër në orën 14°°,
varrezat e reja.
Nisja: Lagjja numër 4 , Rruga “Egnatia”, përballë Stacionit të Shijakut)