20 familje në zonën e Vadardhës në njësinë administrative Sukth dhe një lagje në Katund të Ri janë nën ujë.
Prefekti i Qarkut Durrës Emiljan Jani bën të ditur për “DurrësLajm” se situata në Vadardhë është më kritike, pasi shtëpitë e përmbytura janë buzë lumit Erzen, i cili ka dalë nga shtrati.
Sipas prefektit, banorët e kanë kaluar natën në shtëpitë e të afërmve të tyre, ndërkohë që paraditen e sotme situata duket disi më e përmirësuar.
Nën ujë është dhe Ura e Shën Premtes, në njësinë administrative Sukth.
Që nga dita e djeshme, strukturat e bashkisë Durrës dhe Emergjencave Civile janë në terren duke monitoruar nga afër situatën e rëndë, të krijuar për shkak të përmbytjeve të rreth 300 ha tokë në bashki.
Prefekti Emiljan Jani konfirmon për “DurrësLajm” se autoritetet po u gjenden pranë të gjitha familjeve të përmbytura nga vërshimi i lumit Erzen.





