Jep dorëheqjen drejtoresha e Kadastrës Durrës, Risena Xhaja.

Burimet bëjnë të ditur për “DurrësLajm” se Xhaja ka dhënë dorëheqjen nga posti i drejtoreshës së komanduar e DVASHK Durrës, ndërsa do të mbajë postin e zëvendësdrejtoreshës së Përgjithshme të Kadastrës Shqiptare si dhe drejtoreshës së Apelimit.

Xhaja sapo ka dorëzuar dorëheqjen te drejtori i Përgjithshëm Artan Lame, ndërsa arsyet e këtij vendimi nuk dihen ende.

Pak ditë më parë emri i Risena Xhajës u lakua në një nga emisionet investigative në vend lidhur me shqetësimin e banorëve të pallatit “EDAL” në Tiranë, rast për të cilin pati dhe një reagim vetë nga ana e Xhajës. Sipas Xhajës, raportimi nga ana e emisionit duhej të ishte më i drejtë dhe nuk duheshin shtrembëruar faktet.

Risena Xhaja mori drejtimin e Kadastrës Durrës një vit më parë si drejtoreshë e komanduar, pas dorëheqjes asokohe të Rajmonda Dashit.

Sakaq, nuk dihet ende se cili do të jetë drejtuesi që do të marrë postin e drejtorit të DVASHK Durrës.