Për dy ditë me radhë, basketbollistët e vegjël të ekipeve të shoqatës sportive “Juvenilia 2014” në Durrës, do të stërviten me trajnerë të Federatës Italiane të Basketbollit, duke pasur kështu mundësinë të përfshihen në një përvojë unike për të testuar metodat e reja të stërvitjes.

Në këtë trajnim dy ditor (25 dhe 26 prill), fëmijët e moshave nga 5 deri në 14 vjeç do të stërviten nga trajneri profesionist italian Felice Carano, duke eksperimentuar me ushtrime të reja specifike në lojën e basketbollit.

I pyetur nga “DurrësLajm” se si e priti ftesën dhe si i duken talentet e rinj shqiptarë, Felice Carano thotë se objektivi pikë së pari është për të bërë një krahasim mes dy realiteteve, atij shqiptar dhe Italian dhe të mbështesin rritjen e tyre.

“Pranova me shumë kënaqësi ftesën e Francesko Vitobellos, sepse më bën të kuptoj se çfarë mund të bëjmë më shumë për të përmirësuar lëvizjet. Problemi nuk është niveli, problemi është përgjegjësia jonë për t’i bërë këta të rinj të rriten; pikë së pari si persona dhe më pas si lojtarë.
Kjo është një mundësi edhe për mua, të përballem me një realitet tjetër, për të kuptuar se si duhet përmirësuar ky realitet nga pikëpamja stërvitore dhe të bëj një krahasim didaktik se si të stërvitesh dhe cilat janë metodat e duhura”,
thotë Carano.

Ideja ishte e trajnerit dhe njëherësh presidentit të shoqatës “Juvenilia 2014”, Francesko Vitobello, për të rritur standardet stërvitore duke iu afruar modelit europian.

“E ftova Felicen për të sjellë në shoqatën tonë një person më shumë, për të dhënë një pikëpamje të re të metodologjisë. Brezat po ndryshojnë, të vegjlit tanë kanë nevojë të përballen me mënyra të reja stërvitjeje. Felice ka aftësitë e tij si trajner për të na sjellë këto metoda të përdorura në akademitë më të mira të basketbollit italian”, shprehet Vitobello.